Marrëdhëniet tregtare Shqipëri-Kosovë, zhvillohet në Tiranë Forumi Ekonomik Mbarë-Shqiptar
Mundësitë dhe sfidat e marrëdhënieve tregtare Kosovë- Shqipëri. Kjo ishte tema e takimit që mblodhi këtë në datë 22 maj 2019 në Tiranë, Forumin Ekonomik Mbarë-Shqiptar. Me një pjesëmarrje të sipërmarrjes nga të dy vendet, drejtuesit kryesorë të qeverive që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me sipërmarrjen, forumi nxori një sërë problematikash që nuk gjejnë ende zgjidhje në marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, zoti Nikolin Jaka i cili moderoi panelin e forumit në nisje të fjalës së tij evidentoi qartë problematikat që janë mes dy vendeve tona, duke kërkuar nga panelistët të mos mbeten më në kuadrin e fjalëve, por të zgjidhjeve konkrete.
Astrit Panxha drejtori Ekzekutiv i Forumit ekonomik mbarë-shqiptar do të nxirrte në pah si neglizhencë nga ana e qeverive “mungesën e analizave të mjaftueshme të problematikave. Ndoshta në këtë aspekt ministritë e qeverisë duhet të bëjnë një pyetësor drejtuar bizneseve të Shqipërisë se cilat janë problemet e tregtisë me Kosovën”.
“Në fakt prezantimi që sapo bëri drejtori ekzekutiv i Forumit është një prezantim që hap debatin, një prezantim që na vë në pozita dhe rrit shkallën e përgjegjësisë për secilin prej nesh por që nuk fillon dhe mbyllet në këtë forum pasi është një debat i hapur mes sipërmarrjes dhe përfaqësuesve të qeverive të dy vendeve”, u shpreh Jaka duke shtuar se “ne kemi paraqitur edhe një kërkesë dy qeverive tona që daton që me datë 5.2.2018, ku janë 6 kërkesa që sapo i prezantoi edhe z. Panxha dhe janë edhe 4 propozime të cilat fokusohen tek modelet e bashkëpunimit ekonomik”. Prandaj për zotin Jaka duhet të gjenden modelet më të mira të bashkëpunimit ekonomik duke i implementuar në marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë sepse vetëm kështu ne mund të kemi një ekonomi komplementare dhe të shkurtohen procedurat dhe barriera. “Sipërmarrja dhe përfaqësuesit e shoqatave dhe biznesit që sot janë në sallë kanë një interes të jashtëzakonshëm për komunikimin dhe bashkëpunimin ekonomik me Kosovën. Ata duhet të dinë më shumë që a jemi në rrugën e duhur apo jemi në kuadër të organizimit të mbledhjeve, të bërjes së deklaratave, dhe asgjë më shumë përtej ekraneve të mediave apo dhe të tryezave që mblidhemi” cilësoi Jaka duke kërkuar nga koordinatori i dy qeverive, zoti Limaj detaje të mëtejshme se çfarë konkretisht po bëjnë qeveritë tona.
Zv/kryeministri i Kosovës, zoti Fatmir Limaj bëri një rezyme të mbledhjeve të deritanishme të qeverive tona, duke cilësuar se ka pasur disa rezultate konkrete, por duke e parë veten e tij në rolin e sipërmarrësve ai u shpreh se ka shumë për të bërë në këtë drejtim. “Unë ju premtoj se kemi pasur një referim të jashtëzakonshëm të ministrave, të drejtuesve të agjencive, me shifra konkrete, me rezultate konkrete, kemi përfaqësuar nevoja dhe probleme, besoj që secili zgjidh me terma konkrete”, u shpreh ndër të tjera ai. “Ne zotohemi që do të vazhdojmë me eliminimin e pengesave”, u shpreh Limaj, por ka evidentuar dhe problematikat që ndesh biznesi i Kosovës në vendin tonë, siç është taksa e rrugës apo skanimi. “Ajo që ne kemi kërkuar është që malli i Kosovës mos të futet në skaner. Sikur malli futet në skaner nuk është reklamë në Shqipëri, është reklamë në Kosovë. Ne në Prishtinë, kemi pasur skaner, por nëse organet vendore kanë kërkuar që një mall të futet në skaner, përgjegjësinë për shpenzimet i ka mbuluar shteti. Kemi problemin e biznesit shqiptar me terminalin e Kosovës. Janë udhëzuar organet doganore, ajo çka lëviz drejt terminaleve, i kam thënë ministrave që nesër tregoni çfarë keni pengesa nga Kosova, edhe ju po ju them tregoni çfarë pengesash keni nga Kosova? E kam fjalën barriera tarifore, jotarifore”, renditi Limaj si problematika duke theksuar se në Prishtinë janë të gatshëm të marrin të gjitha hapat e nevojshëm dhe pret të njëjtën gjë të bëhet dhe në Tiranë.
“Ftesa dhe apeli im është të gjejmë pikat e përbashkëta, ne zotohemi që të do të vazhdojmë me eliminimin e pengesave. Ne kemi zotimin e dy kryeministrave, përkushtimin e tyre që të shkojnë konkretisht, është kënaqësi për mua që flas me terma konkrete në fund të qershorit, marrëveshjen në Pejë do të implementohen, fokusimi në detyra, dhe kam dëshirë që t’i shkojmë gjërave deri në fund, dhe shpresoj se me 1 korrik atë që kemi marrë obligim nga dy kryeministrat me të gjithë kolegët e mi këtu dhe ato që s’janë do t’i implementojmë”, u shpreh ai.
Ministrja e Ekonomisë dhe Financave të Shqipërisë Anila Denaj siguroi biznesin kosovar dhe atë të Shqipërisë që do të ketë një diskutim me koncesionarin për çështjen e skanimit te mallrave në dogane. Gjithashtu të dy palët nga ana e qeverive siguruan gjatë diskutimeve të tyre në forum se deri në fund të qershorit do të implementohen 5 vendimet e marra në kuadër të pengesave që e bëjnë të vështirë zhvillimin dhe intensifikimin e tregtisë mes dy vendeve.
Por nuk është i vetmi problem referenca doganore që vështirëson intensifikimin tregtar mes dy shteteve, që në vend që të depërtojme së bashku me brandet e përbashkëta tradicionale në tregjet europiane e më tej, siç do të shprehej Sokol Kraja i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë: “Ne kemi dy tregje që i kemi vënë gardhet njëri-tjetrit”.
Sipas një studimi të kryer dy vite më parë për barrierat tregtare Shqipëri-Kosovë dhe anasjelltas, rezulton që :
Në pjesën e Shqipërisë sipërmarrësi duhet të paguajë për të eksportuar:
23 euro agjencinë doganore
10 euro pagesën e terminalit
15 euro pagesën për certifikatën fito sanitare
22 euro skanerin
72 euro në doganë
Në pjesën e Kosovës
30 euro agjencia doganore
40 euro terminali
68 euro certifikata fito-sanitare
Shtoji kësaj shifre edhe tarifën e Rrugës së Kombit.
“Për një trajler që eksporton 50 mijë euro janë 0, 5 % e totalit që nuk i rëndon, por mendoni një furgon që eksporton 500 kg suxhuk! Është sa 50 % e kostos”, u shpreh Alban Zusi gjatë diskutimeve në forum.
Berat Rukiqi, kreu i Odës Ekonomike të Kosovës u shpreh se “është hera e 20 që takohemi dhe vazhdojmë diskutojmë për barriera. Këtë dekadë bisedimesh do ta quaja dekadë të barrierave. Ende ne nuk kemi një sqarim për këto vite, pse birra Peja diskriminohet në tregun e Shqipërisë kur tregu është i hapur për të gjithë? Pse nuk është shfrytëzuar avantazhi i rrugës, teksa më parë e kishim si justifikim? Ne i plotësojmë të gjitha parakushtet për të patur një shkëmbim tregtar të shëndoshë, por të vështrosh statistikat, lënë për të dëshiruar”.
Kryetari i Dhomës së Tiranës, zoti Jaka bëri të qartë se tashmë duhet të kalohet në një stad tjetër të një ekonomie komplementare. “Ne duhet të jemi gati për një agjendë tjetër që është agjenda e një ekonomie komplementare pse jo e dirigjuar dhe e orientuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë nga politika dhe qeveria e dy vendeve, sepse vërtet mund të ketë nisma që jo pak herë në tryezat tona i kemi ngjizur, problem është se kush sektor performon, që të kemi një trinom sipërmarrjeje. Pra Maqedoni – Shqipëri – Kosovë për të implementuar projekte specifike, qoftë për Maqedoninë Veriperëndimore, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri”. Sipas zotit Jaka biznesi mezi pret që të ketë projekte që krijojnë siguri dhe stabilitet dhe kjo mendoj që është pika e parë që qeveritë tona duhet të kenë parasysh që të bëjnë projekte dhe të trajtojnë me politika rregullatore dhe reformatore sektorë që performojnë dhe realizojnë fitime që bëjnë të mundur financimin.
Forumi Ekonomik Mbarë Shqiptar kishte takimin e tretë të tij dhe vuri në qendër të takimit edhe një herë shqetësimet më të mëdha që kanë bizneset e të dyja vendeve dhe se si mund të përmirësohen marrëdhëniet tregtare.
Pjesëmarrës në Forumin Ekonomik veç bizneseve të dy vendeve ishin:
- Nikolin Jaka – Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë
- Nagip Fejzi – Kryetar i Forumit Ekonomik Mbarë- Shqiptar
- Astrit Panxha – Drejtor Ekzekutiv i Forumit Ekonomik Mbarë Shqiptar
- Fatmir Limaj – Zëvendëskryeministër i Republikës se Kosovës
- Anila Denaj – Ministre e Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë
- Bedri Hamza – Ministër i Financave i Republikës së Kosovës
- Eduard Shalsi – Ministër i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes
- Endrit Shala – Ministër i Tregtisë dhe Industrisë së Republikës së Kosovës
- Berat Rukiqi – Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës
- Nebi Hoxha – Kryetar i Odës Ekonomike te Maqedonisë Veriperëndimore
- Fejzulla Mustafa – Kryetar i Klubit të Prodhuesve të Kosovës
- Sokol Kraja – Kryetar i Bordit Drejtues të Bashkimit të Prodhuesve Shqiptar.