Kërkesë e Kryesisë së DHTI-Tiranë drejtuar Qeverisë dhe Kuvendit për Paketën Fiskale 2024

Kërkesë e Kryesisë së DHTI-Tiranë drejtuar Qeverisë dhe Kuvendit për Paketën Fiskale 2024

Kryesia e DHTI-Tiranë, në mbledhjen e saj të radhës, të datës 9 nëntor 2023, si rend të ditës analizoi shqetësimet e biznesit lidhur me situatën ekonomike në vend, buxhetin dhe paketën fiskale 2024 të miratuar nga qeveria.

Kryesia e DHTI-Tiranë konstaton se kërkesat e sipërmarrjes nuk kanë gjetur reflektim në paketën fiskale 2024 të miratuar nga qeveria.

Gjithashtu, mosdërgimi i dokumentit të buxhetit dhe paketës fiskale për mendim dhe konsultim publik tregon mungesë transparence nga ana e qeverisë. Si rrjedhojë, në zbatim të vendimit të Kryesisë së DHTI-Tiranë, dalim me këtë kërkesë, adresuar institucioneve përkatëse të qeverisë, lidhur me paketën fiskale 2024, sa më poshtë vijon:

Paketa fiskale 2024 e prezantuar në këtë buxhet nuk përmbush kërkesat e sipërmarrjes, vetëm me disa ndryshime, siç janë: disa përjashtime të TVSH-së, rritje e akcizës së cigareve, rritja e taksës së karbonit, si dhe ligji për tatimin mbi të ardhurat.

Nisur gjithashtu nga fakti se ky buxhet, i cili është miratuar nga qeveria dhe pa organizuar asnjë tryezë konsultimi më parë mendojmë se:

– Buxheti dhe paketa fiskale 2024 duhet të fokusohen më shumë në ekonominë reale, duhet të shërbejnë si mbështetje për përballimin e krizës së rritjes së çmimeve, ashtu siç po bëjnë të gjitha vendet e rajonit dhe ato të BE-së;

– Duhet të gjenin konkretizim paketa fiskale në mbështetje të bujqësisë dhe fermerit. Skema e diferencimit të TVSH-së në hyrje-dalje dhe subvencionet janë disa herë më të ulëta sesa nevojat e sektorit, duke vazhduar të renditemi të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor;

-Sipërmarrja shqiptare kërkon dhe pret mbështetje me fonde buxhetore për të nxitur industritë prodhuese, konkurrueshmërinë dhe prodhimin për eksport.

Kryesia DHTI-Tiranë propozon se duhet që të gjejnë reflektim disa shtesa në paketën fiskale për vitin 2024, sa më poshtë:

1.Të vendoset skema e kompensimit të TVSH-së së fermerëve

Në Ligjin nr.92/2014 “Për TVSH”, norma e TVSH-së për sektorin e agropërpunimit të bëhet 5%-7%, siç e kanë aktualisht vendet e rajonit dhe një pjesë e vendeve të BE;

-Përfshirja e të gjithë operatorëve në sektorin e grumbullimit dhe përpunimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale në skemën e TVSH-së, pavarësisht xhiros së deklaruar vjetore.

Aktualisht, heqja e përqindjes së kompensimit të TVSH-së për agropërpunuesit në blerjet që ato bëjnë te fermerët ka patur impakt negativ, si:

  • Ngarkesë të lartë të TVSH-së për agropërpunuesit, të cilët automatikisht në treg taksohen me një taksë neto prej 20% mbi shitjet, pa asnjë të drejtë të zbritjes;
  • Rënie të të ardhurave të fermerëve, të cilëve iu hoq shuma që përfitonin si kompensim prej agropërpunuesve;
  • Moskreditimi i TVSH-së solli uljen e interesit të përpunuesve dhe prodhuesve vendas, duke gjetur mundësi tek importet;
  • Heqja e kompensimit u bë pa asnjë analizë ekonomike e financiare, duke rikthyer rënien e interesit për të dokumentuar transaksionet, rrjedhimisht duke ndikuar në rritjen e informalitetit.

2.Heqja e akcizës për gazin e lëngshëm

Taksa ekzistuese e akcizës 6 lekë/litri aktualisht rëndon në koston e një pjese të madhe të prodhuesve që përdorin gazin e lëngshëm si lëndë djegëse për prodhim industrial.

Në të gjithë rajonin dhe vendet e BE-së, industria përpunuese është e përjashtuar nga akciza e gazit dhe i njëjti model duhet të implementohet edhe në vendin tonë.

3.Të zbritet TVSH për karburantet

Të bëhet rishikimi i udhëzimin nr.6, datë 30.01.2015 “Për TVSH”, i të gjitha normativave të lejimit të zbritjes së karburanteve, sidomos ato të natyrës “të tjera”, ku përfshihen shumë aktivitete prodhuese e tregtare.

Shpenzimet e karburanteve zënë një peshë të ndjeshme në kostot e çdo biznesi, si në atë të administrimit edhe të prodhimit e të shpërndarjes, aq më tepër që tashmë ka rreth dy vjet që rritja e çmimit të karburantit nuk po njeh më kurbë rënëse.

Por, biznesi shpeshherë është penalizuar sa i takon zbritjes së TVSH-së që ka paguar për blerjet e karburanteve të nevojshme për aktivitetin e tij ekonomik. Akoma përdoren disa normativa të vendosura në mënyrë empirike para 15 vitesh. Për konkretizim, janë shumë veprimtari prodhuese që konsumojnë lëndë djegëse të natyrës karburant dhe iu njihet zbritja me vetëm 2%.

4.Të mënjanohen mbivendosjet në ligje dhe udhëzime i kërkesave të njëjta për entitetet dhe personat fizikë, me penalitete të ndryshme, kur këto të dhëna aksesohen nga administrata tatimore, online nga sistemi elektronik tatimor

Kjo kërkesë bazohet sa më poshtë:

  • Bazuar në ligjin nr. 9723, datë 3.5.2007 “Për QKB”, neni 59, pika 1, “Regjistrimi i subjekteve në regjistrin tregtar përbën gjithashtu regjistrimin e njëkohshëm të tyre pranë autoriteteve tatimore në skemën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe pranë inspektoratit të punës”.
  • Bazuar në ligjin nr. 9920 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, neni 40, pika 4, “Regjistrimi në Qendrën Kombëtare shërben njëkohësisht si regjistrim në administratën Tatimore, si dhe në skemat e Sigurimit Shoqëror dhe Shëndetësor të Inspektoratit të Punës dhe organeve doganore”.

5.Të hartohet dhe implementohet Ligji për Amnistinë Fiskale

Sipërmarrja kërkon që përveç reflektimeve në paketën fiskale është e nevojshme që të miratohet edhe Ligji për Amnistinë Fiskale.

Kryesia e DHTI-Tiranë është dakord dhe i qëndron propozimit për hartimin e një ligji të mirëstrukturuar të amnistisë fiskale për individë dhe entitete përfshirë periudhën deri më 31.12.2023, bazuar dhe në plotësim të:

  • Miratimi i ligjit nr.29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat” me fuqi nga 01.01.2024, fiskalizimi, administrimi i riskut dhe aftësimi i administratës për përpunimin e të dhënave tatimore.
  • Nga ana tjetër, kjo është kërkesë e entiteteve (anëtarë të DHTIT), për të pasur një mundësi të fundit, deklarimi kundrejt pagesës, duke formalizuar gjendjen pasurore në ulje të informalitetit, rregullim të pasqyrave financiare, rritje të të ardhurave buxhetore etj.
  • Është shumë e rëndësishme që Amnistia Fiskale të mundësohet në një bashkëpunim të ngushtë me sipërmarrjen private dhe grupet e interesit, në mënyrë që efektet e saj të ndikojnë pozitivisht në ambientin e biznesit, te tatimpaguesit e ndershëm dhe për ekonominë shqiptare. Përtej dekurajimit që Amnistia Fiskale në tërësi iu bën sipërmarrësve të ndershëm, ky ligj duhet të gjejë instrumentet e duhura që sipërmarrja informale të humbasë të gjitha shpresat për të vazhduar aktivitetin e saj në informalitet.

Kryesia e DHTI-Tiranë, nëpërmjet këtyre propozimeve, pret nga qeveria shqiptare ngritjen e një grupi pune me ekspertë të sipërmarrjes private dhe institucioneve përgjegjëse për ekonominë, për pikat e propozuara sa më sipër.

 

KRYESIA

DHOMA E TREGTISË DHE INDUSTRISË TIRANË

 

Share this post