Jolanda Kote: Grua në biznes? Është pavarësi dhe menaxhim i mirë i gjithçkaje

Jolanda Kote: Grua në biznes? Është pavarësi dhe menaxhim i mirë i gjithçkaje

Jolanda Kote: Grua në biznes? Është pavarësi dhe menaxhim i mirë i gjithçkaje

Të jesh sot një grua në biznes për Jolandën është një sfidë e vërtetë, por përtej kësaj është dimensioni tjetër që merr si femër e realizuar. Madje për të është vlerësimi më i madh që mund t’i bësh vetes, pa patur nevojë të marrësh çmime, por të marrësh vlerësimin në një ekonomi tregu ku konkurrenca është e madhe. Prej dhjetë vitesh ajo drejton biznesin e saj familjar dhe ka arritur të gjejë mjaft mirë kohën për punën dhe dy vajzat e saj, duke ju dhënë këtyre të fundit modelin e menaxhimit të mirë të jetës. Mbështet fort idenë që emigrantët duhet të kthehen në vendin e tyre dhe të investojnë dhe për këtë kërkon politika nxitëse konkrete nga qeveria shqiptare. Por si është Jolanda në raport me përditshmërinë e saj në punë dhe familje? Ajo rrëfen vështirësitë e fillimit dhe ku mbërrin më punën dhe këmbënguljen e saj për të bërë më të mirën.

Kur e keni filluar biznesin  tuaj, çfarë produkti ose shërbimi ofroni për tregun ?

Biznesi ka filluar prej rreth dhjetë vitesh dhe është ngritur si një biznes familjar. Operojmë në fushën e tregtisë dhe shërbimeve. Për më konkretisht operojmë në fushën e mobilierisë. Prodhojmë kuzhina, dhoma gjumi, biblioteka, tavolina, karrige, kredenca dhe gjithçka tjetër që duhet për mobilimin e banesave dhe ambienteve të punës, si zyra, lokale etj.. Kemi dy filiale këtu në Tiranë ku njëri shërben për prodhimin e mobilieve dhe tjetri shërben si njësi për tregtimin e tyre. Ofrojmë për klientët tanë edhe shërbimin e arredimit nga arkitektja, i cili është një shërbim i domosdoshëm kur duam të arrijmë rezultat sa më të mirë në procesin e mobilimit.

Si është të jesh sot një grua në biznes?

Të jesh sot një grua në biznes është dyfish e vështirë, sepse vetë tregu është i vështirë, ka konkurrencë dhe luftë për tregun e produkteve. Sidomos në fushën e  prodhimit të mobilieve, ku tregu informal ka qenë shumë prezent. Në çdo cep pallati gjeje një mobilieri apo marangoz të palicencuar, që si rezultat i informalitetit, ishin faktor konkurrence për arsye të çmimeve të ulëta që ofronin. Por edhe fakti që në tregun shqiptar, ka një numër shumë të madh mobilierish të konsoliduara, të cilat kanë qenë prej shumë vitesh në treg, ka qenë faktor vështirësie. Por me punë dhe përkushtim kemi arritur t’ja dalim.

Të jesh një grua në biznes është krenari. Krenari, sepse tregon që ja ke dalë, dhe ja ke dalë me zotësi, mençuri dhe pjekuri, në një treg që mbizotërohet nga burrat.

Të jesh sot një grua në biznes është pavarësi, sepse je ti vetë që vendos dhe menaxhon çdo gjë, përfshirë këtu dhe pavarësinë ekonomike, diçka që i mundon shumë pjesën më të mirë të femrave në shoqërinë tonë.

Të jesh një grua në biznes është bukur, sepse ke mundësi të realizosh ëndrrat e tua. Të jesh një grua në biznes është vlerësim, ai që ti ndien për veten, por dhe ndihesh e vlerësuar nga të tjerët. Të jesh sot një grua në biznes është arritje, madje e merituar më shumë se sa titujt dhe gradat e dhëna nga komisione e juri, sepse është ekonomia e tregut, konkurrenca juria më e madhe që bën seleksionimin.

Me sa punonjës e keni nisur punën në kompani dhe sa keni sot? 

Biznesi në fillimet e veta ka filluar me 2-3 punëtorë, sot janë rreth 10 por, me mundësi ndryshimi në varësi të ngarkesës së punës.

Nëse do të ishit kthyer disa vite më parë do të bënit sërish të njëjtën gjë? 

Me shume mundësi, po.

Si është te jesh nënë, si e menaxhon kohën e saj dhe a mendoni që keni qenë mjaftueshëm prezente për fëmijët e tu kur ata kanë patur nevojë? Sa ke ndikuar në formimin e tyre? 

Të jesh një grua në biznes dhe njëkohësisht nënë, është me të vërtetë e vështirë, të shoqëron gjithmonë një ndjenjë faji për kohën e pamjaftueshme në familje, për kohën e pamjaftueshme për t’u marrë me fëmijët, por të bën dhe me të përgjegjshme dhe të vëmendshme për të qenë prezente gjithmonë kur ata kanë nevojë. Por, marrja ime me biznesin besoj se ka pasur një ndikim shumë të madh në formimin e vajzave te mija. Mendoj se janë bërë më të përgjegjshme dhe janë ndërgjegjësuar se vetëm me punë arrihet gjithçka, kanë kuptuar që herët, se jeta është luftë, përpjekje dhe sfida, janë bërë më të përgjegjshme për të menaxhuar jetën e tyre në të gjitha aspektet edhe financiarisht etj., etj…..

Cili ka qenë një moment suksesi që ka vendosur të ardhmen tuaj në sipërmarrje dhe a keni patur raste kur keni thënë mjaft nuk mund të vazhdoj më? 

Nuk di nëse mund ta quaj sukses, por ajo që vendosi të ardhmen tonë në sipërmarrje, bashkë me bashkëshortin, ka qenë përvoja dhe aftësitë lidhur me këtë lloj biznesi që fituam në emigracion, mbas një pune disa vjeçare aty dhe falë këtyre aftësive ne bëmë të mundur ngritjen e këtij biznesi i cili ka një rritje të qëndrueshme.

Për pyetjen se a kam pasur raste të them – mjaft, nuk mund të vazhdoj më, do të thoja se vërtetë ka momente të vështira plot, por tani kjo është rruga që kemi zgjedhur dhe kemi investuar, nuk ka vend për ndryshim.

Ndryshe nga fillesat tuaja të biznesit, çfarë politikash nxitëse mendoni  se duhet të ndërmarrë qeveria për mbështetjen e gruas sipërmarrëse, dhe çfarë mund të bëhej më mirë?

Që të flasësh për këtë pikë duhet të jesh eksperte, por gjithsesi, po jap dy-tre mendime, parë nga këndvështrimi im. Ka shumë hapësira ku mund të ndërhyhet për nxitjen e gruas në biznes.

  • Së pari dhe shumë e rëndësishmja është fuqizimi i shoqatave të ndryshme të grave dhe veçanërisht i atyre që kanë në fokus biznesin. Po marr si shembull shoqatën ku aderoj dhe vetë, ShGPAZ. Është një shoqatë ku ka mbledhur rreth saj një numër të madh grash që merren me biznes, që nga ato me biznese të fuqishme por dhe ato me biznese të vogla dhe zejtare. Pjesëmarrja në shoqatë na ka krijuar mundësinë e pjesëmarrjes në aktivitete, seminare dhe konferenca të ndryshme ku ne kemi mundësinë të dëgjojmë dhe mësojmë më shumë për përmirësimin e punës në bizneset tona. Na ka krijuar mundësi për trajnime të ndryshme në fushën e menaxhimit të biznesit, por edhe duke mësuar nga njëra-tjetra, nga përvojat pozitive apo negative që ka kaluar gjithsecila prej nesh. Prandaj duhet që edhe shteti t’i nxisë dhe mbështesë formimin dhe fuqizimin e këtyre shoqatave.
  • Së dyti, dhe që thuhet shpesh, mendoj është e rëndësishme ndihma financiare që mund tu jepet nëpërmjet kredive të buta, grave të cilat kanë filluar një biznes por e kanë të vështirë për ta rritur dhe zgjeruar.
  • Së treti, përfshirja e sa më shumë studentëve, vajzave dhe grave të reja në projekte të ndryshme ku ato të japin ide të ndryshme biznesi dhe t’ju mundësohet mbështetja e këtyre ideve.
  • Së katërti nisur nga përvoja ime personale mendoj se shteti nëpërmjet politikave të tij duhet të ketë në fokus dhe tërheqjen e emigrantëve, të cilët janë të interesuar për t’u kthyer dhe për të hapur biznes. Në fushën e shërbimeve ka shumë vende, ku mund të japin përvojën e tyre gratë emigrante të cilat kanë shumë vite pune në emigracion. Në lagjen ku unë kam biznesin, janë 3 furra buke, 4 dyqane ëmbëlsirash, 2 pastrime kimike, parukeri etj., të cilat punësojnë dhe një numër të caktuar njerëzish, që janë hapur nga zonja që kanë qenë në emigrim. Ky kontigjent ka shumë aftësi dhe përvojë të fituar në emigracion, ka dhe mundësi financiare por kanë vështirësi në hapjen dhe menaxhimin fillestar, ndaj duhet të ketë politika ndihmuese dhe favorizuese për fazën fillestare. Në këtë pikë ka shumë vend për të folur, por le të jetë objekt i një tjetër diskutimi.

Share this post