Irena Toçi: Drejtimi i biznesit? Sfidë e përhershme, por që nuk do i shmangesha asnjëherë

Irena Toçi: Drejtimi i biznesit? Sfidë e përhershme, por që nuk do i shmangesha asnjëherë

Irena Toçi: Drejtimi i biznesit? Sfidë e përhershme, por që nuk do i shmangesha asnjëherë

Irena Toçi e ka nisur punën e saj me shtëpinë botuese Toena që në vitin 1993. Nëse në fillimet e saj ishin 3 punonjës, sot numërohen 30 dhe më shumë se 100 bashkëpunëtorë. Në këtë rrëfim të sajin Irena flet për vështirësitë e viteve të para, ku ka mbërritur sot dhe dëshirën për të ecur gjithnjë me ide të reja sidomos në promovimin e letërsisë shqipe. Toena ndër të parat shtëpi botuese private është prej vitesh një shtëpi botuese me emër në vendin tonë. Përveç kontributit në botimin e librave, ajo ka edhe një aktivitet të ngjeshur promocional në nxitje të leximit. Si ka arritur Irena deri këtu? A ka patur kohën e mjaftueshme për t’ju kushtuar dhe familjes dhe fëmijëve të saj? A mendon se gruaja mund të ecë përpara në sipërmarrje edhe duke u bërë pjesë e politikës? Për Irenën nëse ka kohë dhe vullnet arrihet gjithçka. Po kështu, ajo kërkon nga vendimmarrësit tanë të shohin femrën si një forcë të madhe, duke i mbështetur ato që kanë nevojë me politika të caktuara sociale.  

Kur e keni filluar biznesin  tuaj, çfarë produkti ose shërbimi ofroni për tregun ?

Ishte fillimi i vitit 1993 kur hapëm “Toena” me tre punëtorë dhe nxorëm librin e parë me 20.000 kopje “Metoda e gjuhës italiane pa mësues”. Duket se libri solli mbarësi dhe vijon të botohet çdo vit, pasi ka shumë kërkesa për të. Sot pas 25 vitesh aktivitet, kemi 30 punonjës, një rrjet me mbi 100 bashkëpunëtorë përkthyes në profesion të lirë, redaktorë, recensentë, anëtarë bordesh të ndryshme që ngremë herë pas here, apo të tjerë që punojnë për projekte të veçantë të shtëpisë botuese, më të cilët punojmë me honorare.

Si është të jesh sot një grua në biznes?

Si grua e konsideroj sfidë të përhershme drejtimin e biznesit, por e rëndësishme është të arrij të harmonizoj të përditshmen mes familjes dhe punës. Besoj se nuk jemi të barabartë me burrat, se natyra na ka dhënë ca misione plus, që ata nuk mund t’i realizojnë natyrshëm. Ideja e barazisë gjinore e dëmton gruan në shumë drejtime, edhe në familje edhe në edukimin e fëmijëve. Disa gra kanë primare karrierën, unë nuk e shoh veten ndër to. Por si një grua që biznesi më ka mbajtur gjatë në zyrë, çmoj shumë ndihmën e nënës time që më ka ndihmuar me rritjen dhe edukimin e tre fëmijëve edhe pse jeta sot ofron mekanizma të tjerë që i lejon një gruaje sipërmarrëse të arrijë të harmonizojë kohën mes punës, fëmijëve dhe familjes.

Fakti që kohën tuaj në sipërmarrje e ndani me bashkëshortin j’ua ka bërë punën më të lehtë apo ju ka penalizuar në raste të caktuara?

Është një biznes që fitoi emër të madh në vitet kur u drejtua nga një burrë dhe dëshiroj ta ruaj biznesin në këtë nivel, i pari në treg. Ne botojmë deri në 200 tituj të rinj më vit, kur shtëpia botuese që renditet e dyta boton 25 tituj të rinj. Ngritja dhe funksionimi i Institutit të Librit dhe Promocionit që në vitin 2006, e ka çuar në një hap tjetër zhvillimi shtëpinë botuese duke synuar dhe promovuar letërsinë shqiptare. Bëjmë maksimumin që promocioni të jetë maksimal brenda dhe jashtë kufijve. Kjo më jep shtysë të eci përpara dhe ta mbaj në të njëjtat nivele punën e nisur nga Fatmiri.

Nëse do të ishit kthyer disa vite më parë do të bënit sërish të njëjtën gjë?

Në çdo hap jemi ndeshur me pengesa. Ndërmarrja për shpërndarjen e librit u mbyll nga pasiguria e udhëtimeve nëpër Shqipëri në vitin e mbrapshtë 1997. Por si çdo e keqe sjell një të mirë, ajo kohë na orientoi të forconim më shumë sektorin e prodhimit të librit dhe ishin vitet e lulëzimit në Toena, ku investuam shumë. Deri në vitin 2003 u morëm me botimet e librit shkollor dhe artistik.

Tani puna ka marrë një dimension të ri, ajo i është drejtuar artit të menaxhimit të librarive. Mënyra se si punohet më to varion nga viti në vit. Me kalimin e viteve idetë mbi libraritë, marrëdhëniet për t’i ngritur e mbështetur, jo thjesht për t’u vënë emrin Toena, por për t’i ndërtuar sipas konceptit tonë, na mbajnë në një pozicion kërkues. I pajisëm me rafte të bukura, ndarje sipas llojit të librit, përkthimeve, letërsive, autorëve, kolanat, të ketë vend për ekspozime të tjera, pasi rëndësi ka të ekspozojmë dhe të shesim libra dhe botues që tjerë që kanë interes për bashkëpunim. Këto librari në fillim ishin pjesë e Toenës, që ishte e licencuar, por më pas i kaluam në menaxhim tek ata që i kanë sot. Ne i mbështesim fuqishëm me furnizim librash, por në marrëdhëniet ekonomike kanë kaluar në tipin franchaising dhe tani funksionojnë për mrekulli.

Ndryshe nga fillesat tuaja të biznesit, çfarë politikash nxitëse mendoni  se duhet të ndërmarrë qeveria për mbështetjen e gruas sipërmarrëse, do të mund të bëhej më mirë?

Gratë botuese janë aktive dhe mjaft të suksesshme në punën që bëjnë, janë me ambicie e rezultate konkrete. Nga ana tjetër në sondazhe dhe statistika të bëra për librin tregohet qartë se interesin më të madh për të lexuar e kanë gratë. Ato zgjedhin për vete, për fëmijët dhe shumë herë për prindërit.

Unë besoj se gratë me probleme familjare, të divorcuara, nëna të vetme, si grupe që kanë nevojë për më shumë mbrojtje duhet të mbështeten nga shteti për nisjen e bizneseve sociale që u garantojnë atyre një jetë normale.

Prania e paktë e gruas sipërmarrëse në politikë pjesërisht ka lidhje edhe me interesin jo shumë të madh të grave që janë investuar në biznes për t’u marrë edhe me politikë. Të jesh në politikë është angazhim dhe detyrë shoqërore serioze. Mendoj se nga partitë aktive oferta për pjesëmarrjen e grave në politikëbërje ekziston dhe ka rezultate konkrete. Mbetet që ato gra sipërmarrëse që kanë mundësitë, dëshirën dhe aftësitë për t’u angazhuar edhe në këtë fushë të gjejnë mënyrën për ta bërë realitet.

Toena

Shtëpia Botuese TOENA e ka filluar veprimtarinë e saj në janar të vitit 1993 me tre punonjës. Në organikën e saj sot përfshihen mbi 30 punonjës, si dhe një rreth i gjerë bashkëpunëtorësh (mbi 100) nga të gjitha fushat e kulturës, arsimit dhe shkencës shqiptare. Që nga dita e krijimit të saj ajo ka botuar rreth 2400 tituj nga studiuesit më në zë të institucioneve shkencore dhe universitare, libra informativë, botime nga historia dhe traditat kombëtare, metoda për mësimin e gjuhëve të huaja, fjalorë të shumëllojshëm, manualë për specialistët dhe profesionistët, letërsi artistike nga autorë shqiptarë dhe të huaj, si dhe albume e harta të ndryshme. Në katalogun e botimeve të Sh. B. Toena gjatë këtyre 20 vjetëve kanë hyrë nga emrat më të njohur të letrave shqipe, të traditës dhe bashkëkohorë. Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Fatos Kongoli, Fatos Arapi, Ali Podrimja, Luan Starova, Kristo Frashëri, Sabri Godo, Teodor Laço, Visar Zhiti, Bashkim Shehu, Kim Mehmeti, Natasha Lako, Diana Çuli, Zija Çela, Bardhyl Londo etj. etj., janë vetëm disa prej tyre. Që nga dita e krijimit të saj, Shtëpia Botuese Toena merr pjesë rregullisht në shumë panaire ndërkombëtare të librit, si në Frankfurt, Gjenevë, Bolonjë, Torino, Paris, Bruksel, Goteborg, Selanik, Sofje, Shkup etj., duke bërë kështu promovimin e autorëve shqiptarë në botë, si dhe shpërndarjen e veprave të tyre kudo që ka shqiptarë. Shtëpia Botuese Toena është pjesëmarrëse e përhershme në të gjitha veprimtaritë që zhvillohen për librin në Shqipëri dhe trojet e tjera shqiptare. Presidenti i saj i nderit, z. Fatmir Toçi, me cilësinë e kryetarit të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, ka qenë një nga organizatorët kryesorë të panaireve panshqiptare të librit si në Tiranë (nëntor), Vlorë (korrik), Sarandë (gusht), Ulqin (korrik), disa prej qyteteve më të mëdha të Shqipërisë e Kosovës, etj. Që nga viti 2007 Shtëpia Botuese “Toena” funksionon si një Institut i Librit dhe i Promocionit, duke i dhënë përparësi promovimit të librit shqip kudo që ka shqiptarë dhe në botë. Bordi themelues i këtij instituti përbëhet nga personalitete të njohur të letrave shqipe si: Fatos Kongoli (kryetar), Rexhep Qosja, Zeqir Alizoti, Piro Misha, si dhe drejtorja e përgjithshme Sh. B. Toena, Irena Toçi.

Share this post