Innotourclust Plus/ Rrjetëzimi dhe promovimi i sektorit të turizmit
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, në kuadër të projektit “Innotourclust Plus”, pjesë e programit Interreg IPA CBC Itali–Shqipëri–Mali i Zi, zhvilloi më 5 maj workshop-in me temë “Rrjetëzimi dhe Promovimi i Sektorit të Turizmit”.
Në këtë aktivitet morën pjese kompani shqiptare të turizmit, si dhe përfaqësues organizatash e institucionesh që mbulojnë këtë sektor. Gjatë fjalës përshëndetëse, znj. Alma Kordoni, menaxhere projektesh pranë DHTI-Tiranë, ndau informacione dhe prezantoi objektivat strategjikë të projektit “Innotourclust Plus”, si dhe rezultatet e tij.
“Objektivi kryesor është përmirësimi i konkurrueshmërisë dhe bashkëpunimi i ndërmarrjeve mes tre vendeve të programit: Italisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi nëpërmjet krijimit të clusterit, një instrument ky që mbledh aktorët turistikë dhe agjencitë turistike të të trija vendeve me qëllim për të bashkëvepruar me njëri-tjetrin, duke u rrjetëzuar. Ndikimi në zhvillimin social-ekonomik të vendit është një tjetër objektiv”.
Statistikat tregojnë një rritje të numrit të turistëve që duan të vizitojnë Shqipërinë. Për ta mbajtur këtë trend në nivel rritës është e nevojshme që të hartohen dhe aplikohen strategji për aktivizimin e turistëve përmes realizimit të aktiviteteve të ndryshme. Znj. Herida Duro nga Ministria e Turizmit, përmendi rëndësinë e kalendarit turistik si pjesë e paketave që ndihmon në përmirësimin e imazhit të destinacionit turistik.
Znj.Alketa Veseli, përfaqësuese nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, foli për zhvillimin e politikave rajonale që po ndodhin në kuadrin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA).
“Për lehtësimin e tregtisë së turizmit për këto dy komponentë – agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë – është ngritur një grup pune me përfaqësues nga Ministria e Turizmit dhe nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, të cilët në bashkëpunim me ekspertët e palëve të CEFTA-s po diskutojmë draftvendimin për lehtësimin e tregtisë së operatorëve turistikë dhe agjencive turistike. Ky draftvendim do të trajtojë dy aspekte: lirinë e themelimit dhe lirinë e ofrimit të shërbimeve cross/border. Vendimi përmban eliminimin e kritereve të panevojshme të licencimit.”
Në këtë workshop, hapësirë të veçantë zuri edhe përkushtimi që strukturat e hotelerisë duhet të ofrojnë për personat me aftësi të kufizuar. Pjesëmarrësit ndanë sugjerime dhe ofruan ide rreth sigurimit të aksesueshmërisë për këtë kategori. Drejtuesja e Klubit të Prindërve të Fëmijëve me Çrregullime të Spektrit Autik, znj. Eglantina Bajrami bëri thirrje për zhvillimin e kulturës së aksesit në turizëm për të gjitha kategoritë.
“Hotelet duhet të vetëofrohen që të japin shërbim turistik të kujdesshëm për përshtatshmërinë duke siguruar aksesueshmëri për personat me aftësi të kufizuar. Kjo gjë do të sillte edhe një frekuentim më të gjerë. Do të ndikonte indirekt në ndërgjegjësimin e shoqërisë.”
Për një harmonizim më të mirë dhe inovativ të kompanive, gjatë workshop-it u diskutua edhe për përmirësimin e edukimit dhe aftësive profesionale në sektorin e turizmit.
Ky aktivitet shërbeu si një urë lidhëse mes pjesëmarrësve, ku nuk u shkëmbyen vetëm eksperienca, por u krijuan edhe bashkëpunime.