INERRAnT/ Aplikimi i mjeteve novatore, nevojë e rëndësishme për të ardhmen e NVM-ve
Promovimi i aktiviteteve novative, qasjet e reja dhe praktikat më të mira të zhvilluara në sektorë të ndryshëm nga subjektet private dhe publike, ishin disa nga temat që u pasqyruan në workshop-in “Tendenca dhe mjete novatore për transformimin digjital të SME-ve”, i cili u organizua nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, në kuadër të projektit INERRAnT Plus.
Thelbi i qëllimit të këtij projekti është krijimi i një bashkësie inovacioni midis Italisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi, për të nxitur dialogun midis vendeve dhe për të përmirësuar bashkëpunimin.
Nga partnerët italianë pjesëmarrës në takim, Antonio Martella, përfaqësues i Confindustria Lecce, teksa fliste për rëndësinë e këtij projekti, vuri theksin te inovacioni dhe qëndrueshmëria, si një marrëdhënie e rëndësishme për një të ardhme më të mirë.
“Në këtë moment po flasim për një temë shumë të rëndësishme. Po flasim për tranzicionin digjital. Të gjithë bashkë mund të nxjerrim një rezultat final të dobishëm për të ardhmen tonë. Të gjithë dimë t’i përdorim instrumentet digjitale, por shumë pak dinë se si funkionojnë ato. Sot, qëndrueshmëria po bëhet një element depërtues i inovacionit.”
I pranishëm në këtë workshop, ishte edhe z.Agim Bufi, Drejtor i Konfindustria Shqiptare, i cili tregoi se si pandemia i dha një impuls transformimit digjital të NVM-ve (ndërmarrjet e vogla dhe të mesme), çka krijoi nevojën për të zbatuar metoda të reja në përputhje me mjetet digjitale.
“Kriza e shkaktuar nga COVID -19 i dha një formë të re pyetjes: “Çfarë dhe si një kompani do ta ndryshojë agjendën e tij?”, u shpreh ai.
Znj. Alma Kordoni, menaxhere projektesh pranë DHTIT, foli për tranzicionin që përqafuan sipërmarrësit gjatë krizës së pandemisë, duke pranuar dhe aplikuar metodat teknologjike për mbarëvajtjen e biznesit të tyre.
“Projekti INERRAnT është një bashkëpunim mes Italisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi. Para periudhës së pandemisë, komuniteti i biznesit nuk ishte aq i prirur për t’i pranuar metodat teknologjike. Bizneset e vogla dhe të mesme kishin vështirësi në zvillimin e teknologjisë. E kishin shumë të vështirë të përthithnin aparaturat e reja. Janë vështirësi që duhet të adresoheshin para se të aplikoheshin.”
Ndër të tjera, znj.Kordoni renditi problematikat me të cilat bizneset vijojnë të përballen.
“Gjatë zbatimit të projektit kemi parë që ka nevojë të rritet menaxhimi i brendshëm i biznesit; të rrritet përdorimi i digjitalizimit të nivelit të lartë (4.0.); të mblidhen të dhënat, të forcohet siguria infrastrukturore; të forcohet rrjetëzimi dhe bashkëpunimi i qëndrueshëm.”
Në workshop u diskutuan edhe modelet e edukimit, ku znj.Haneme Mata, nga Drejtoria Rajonale e Formimit Profesional Publik nr. 1 në kryeqytet, foli për rolin e këtyre qendrave në tregun e punës dhe ndihmën që ofrohet për integrimin e personave vulnerabël.
Nga ana tjetër, znj.Majlinda Dashi, u ndal te angazhimi i Zyrës së Këshillimit të Karrierës, e cila prej dy vitesh zhvillon aktivitete, përmes së cilave fëmijët gjejnë mundësinë për të kuptuar më qartë prirjet dhe potencialet, me qëllim nisjen e një arsimimi ku mund të japin maksimumin e tyre.
Workshop-i u mbyll me promovimin e bizneseve, përfaqësuesit e të cilëve prezantuan cilësitë e shërbimeve të tyre, duke shkëmbyer me njëri-tjetrin eksperienca dhe duke krijuar bashkëpunime.