Historia e pashkruar e Dhomës

Deri më sot nuk kemi trashëguar ndonjë histori të shkruar për Dhomën e Tregtisë të Tiranës. Është një fushë e palëvruar, si nga historianët, ashtu edhe nga studjues të tjerë, aq sa për Dhomën e Tiranës prej vitesh ka qarkulluar mendimi, i shkruar edhe në dokumente të Dhomës, se ajo është krijuar në vitin 1926. Se sa i përgjigjej realitetit ky fakt, kjo u duk qysh në kërkimet e para dokumentare historike, kur ne gjetëm në shkresën nr. 9, date 7.X.1923, që kryetari i sapozgjedhur i Dhomës Tregtare të Tiranës, Ali Begeja i drejtonte Dhomës Tregtare të Shkodrës, me të cilën e informonte se “Dhoma Tregtare e këtushme që më d. 22.VIII.1923, u formue”, duke dhënë më poshtë edhe emrat e kryetarit dhe të anëtarëve të Këshillit të Dhomës. Ishte kjo përballje me faktet e së shkuarës historike të Dhomës që na dha kurajon të futemi në thellësinë e humnerës dokumentare të arkivave dhe sot mund të flasim me bindje se kemi zbuluar shumë nga enigmat e saj.

E kaluara ekonomiko–tregtare e trevës së Tiranës, është baza për zhvillimin ekonomik e shoqëror të mëvonshëm. Vërtet që historia e Tiranës fillon me themelimin e saj si qytet në shek. XVII, por dëshmitë e hershme të zbuluara, shkojnë thellë në lashtësinë historike. Burimet arkeologjike na kanë zbuluar në këtë trevë thesare monedhash të Apolonisë e të Durrësit, si dhe denarësh republikanë romakë, që tregon se në shek. I p.e. sonë edhe në trevën e Tiranës ishte e zhvilluar ekonomia monetare, që dëshmon për depërtimin e ekonomisë romake në këtë pjesë të Ilirisë së Jugut, dhe që ka lidhje me zhvillimin e pronës, të prodhimit e të shkëmbimeve tregtare.

Lindja dhe formimi i institucionit të dhomave të tregtisë, është i lidhur ngushtë me këtë periudhë të formimit të këshillave administrative të prefekturave e nënprefekturave si institucione të reja në realitetin shoqëror e administrativ shqiptar. Natyrisht, për ne është i rëndësishëm fakti që, përderisa reforma administrative, kishte filluar qysh në vitet ’40 dhe Tirana, si kaza, qysh në vitin 1848, kishte nënprefekt dhe institucione moderne administrative të pushtetit lokal, kjo nënkupton edhe ekzistencën e përfaqësuesve të dhomave të tregtisë, si pjesë të kësaj administrate të re, ashtu sikurse edhe të gjykatave tregtare, dy nga institucionet që nuk përmenden, por nënkuptohen, nga që ishin pjesë e strukturës administrative. Gjithashtu, përderisa administrata e N/Prefekturës së Tiranës ishte e plotë, qysh në vitin 1848, ne duhet të pranojmë, se edhe institucioni i Dhomës së Tregtisë ekzistonte qysh gjatë asaj periudhe dhe kishte përfaqësuesit e saj në administratën e qytetit. Ky pohim, që do t’i çonte fillimet e Dhomës së Tregtisë të Tiranës 160 vjet më parë, në vitin 1848, mbetet një nga objektivat e kërkimit dhe thellimit të studimit tonë të mëtejshëm.

 

Dhoma tregtare, daton para vitit 1897

Në një dokument të vitit 1897 na shfaqet Dhoma e Tregtisë e Tiranës, përmes shënimit që na ka lënë me dorën e tij akademiku i nderuar, Prof. Kristo Frashëri dhe që përbën një dokument mjaft të rëndësishëm për punën dhe kërkimet tona: është një e dhënë e rrallë, që dëshmon ekzistencën (po jo ngritjen, duke nënkuptuar e pranuar se formimi duhej të ishte bërë kohë më parë – A. P.) e institucionit të dhomës së tregtisë, bujqësisë dhe industrisë, si pjesë e administratës së bashkisë të nënprefekturës së Tiranës. Shënimi, që na është lënë si trashëgim nga historiani i mirënjohur, është shkruar me penë mbi faqen nr. 71 të librit “Tirana 1937” dhe është përkthimi i një salnameje turke, që i përket Vilajetit të Shkodrës të vitit 1313 (1897) dhe bën fjalë për administratën e N/Prefekturës së Tiranës. Në shënim, pasi përmendet emri i kryetarit të Bashkisë, Mehmet Ali Beu dhe emrat e pesë anëtarëve të kësaj Bashkie, lexojmë: “Kryetar i Dhomës Tregtisë – Bujqësisë – Industrisë: Fuat Beu”.

Përkthimi i kësaj Salnameje të Vilajetit të Shkodrës, ku bënte pjesë edhe nënprefektura e Tiranës na jep një të dhënë të pakundërshtueshme dhe ne s’na mbetet gjë tjetër veçse të pranojmë, se në vitin 1897, në administratën e Bashkisë të N/Prefekturës së Tiranës bënte pjesë edhe Dhoma e Tregtisë, Bujqësisë dhe Industrisë dhe kryetar i saj ishte Fuat Beu. Por, cili është ky Fuat Beu?

Nga të dhëna dokumentare arkivore nuk kemi mësuar më shumë, derisa u takuam me Akademikun Kristo Frashëri, i cili na pohoi me gojën e tij, se “Shënimin me përmbajtjen e Salnamesë që më tregoni, unë e kam shkruar. Është një përkthim i bërë rreth 60 vjet më parë, nga gjuha osmanishte e vjetër. Është ashtu, si e kam shkruar unë: në administratën e Bashkisë të nënprefekturës së Tiranës bënte pjesë edhe Dhoma e Tregtisë, Bujqësisë dhe Industrisë dhe Kryetar i saj ishte Fuat Toptani. Fuat Beu është Fuat Toptani. Nuk kishte Fuat Bej të tjerë në atë kohë. Të tjerët ishin të ardhur. Fuat Toptani ishte ai, i pari i Toptanëve”. Një e vërtetë, që hedh dritë në atë që mund të quhet “Gjenealogjia historike e Dhomës së Tregtisë të Tiranës” dhe që përbën gurin e parë të njohur në themelet e saj. Nga biseda me profesorin e nderuar, mësuam dhe njohëm edhe Kryetarin e Dhomës së Tregtisë, që ishte Fuat Bej Toptani. Por, nga kjo bisedë, dilte edhe një përfundim tjetër, se kjo Dhomë nuk është se u krijua në vitin 1897, kur është shkruar kjo salname, që në fakt dëshmon gjendjen e administratës së nënprefekturës në atë vit, ndonëse ende nuk dimë se kur ishte formuar kjo administratë me këtë përbërje që thuhet në dokument.

Dhomat e Tregtisë tek ne lindën dhe ishin pjesë e administratës shtetërore dhe kryenin detyrat që u kishte ngarkuar kjo administratë. Rilindja e dhomave të tregtisë në vitet ‘20-të dhe ecuria e tyre deri në vitin 1944, i vendosi ato në pozitat e një organi fillimisht në vartësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me strukturë ndërtimi dhe funksioni në zbatim të ligjit Otoman të Odave të Tregtisë, dhe kjo vazhdoi deri kur u hartua legjislacioni shqiptar.

Interesi i qeverisë ishte që, në ballafaqimin për zgjidhjen e problemeve të ekonomisë, shteti të kishte të bënte me përfaqësues të tregtarëve dhe jo me vetë individin tregtar, zejtar, bujk apo industrialist. Kjo u duk sidomos kur, pas thirrjes së Kongresit të tregtarëve më 31 korrik e 2 gusht 1922, qeveria nuk i arriti të realizonte objektivat e veta. Për të ishte më e udhës që në Kongrese të ishin përfaqësues të Dhomave të Tregtisë. Dhe qysh nga kjo kohë do të marrin udhë iniciativat për thirrjen e disa Kongreseve të dhomave të tregtisë, ku organet shtetërore kërkojnë mendime dhe rrugë për t’u dhënë zgjidhje shqetësimeve në drejtim të zhvillimit ekonomik e tregtar. Vitet 1920-1940 mund të quhen me plot gojën vite të Kongreseve të tregtarëve, sepse zhvillohen plot 7 Kongrese: më 1922, 1924-25, 1928, 1930, 1932, 1934 dhe 1939.

Kongresi i parë i tregtarëve në vitin 1922 pati rëndësi të veçantë sepse doli me vendimin për “krijimin kudo të Odave të Tregtisë“. Nga kjo kohë fillon riformimi i Odave të Tregtisë edhe atje ku ato ekzistonin, me ndryshimin se tani do të ishin organe të njohura nga shteti dhe do të konsideroheshin si pjesë e dikasterit të Financave, siç thotë vendimi Nr. 144, datë 25 mars 1924, i Këshillit të Ministrave, në bazë të të cilit “dhomat dhe klubet tregtare të krijuara rishtazi do të vareshin nga Ministria e Financave, pranë së cilës do të krijohej edhe Drejtoria e Përgjithshme Tregtare”.

Me daljen e ligjit “Mbi themelimin e Odave t’Ekonomis“ Nr. 56, datë 14 Mars 1929, vartësia nga qeveria do të ligjërohej, kur dhomat do të shpalleshin si “ndërmjetësit e qeverisë, në njërën anë e të bujqve, industrialëve e tregtarëve, në tjetrën dhe që mvaren e janë të rregullueme prej Ministrisë s’Ekonomisë Kombëtare”. Praktika tregoi se ato u kthyen në organizma të dikasterit të ekonomisë, si shtojcë të qeverisë për zgjidhjen e detyrave e problemeve që ajo kishte. Me daljen e ligjit të ri u zhvilluan edhe zgjedhjet e reja dhe si kryetar i saj do të jetë Hamdi Bimbashi, një patriot i shquar që lë aktivitetin e juristit në Stamboll, dhe me thirrjen e Aqif Pashë Elbasanit, bashkohet me parinë e vendit dhe ngrenë flamurin shqiptar të Pavarësisë në Peqin, më 26 nëntor 1912.

Më 30 Prill 1932, del ligji “Mbi themelimin e Odave të Tregtisë”, dhe pas tij organizohen zgjedhjet e reja të Dhomës. Kryetar i saj zgjidhet sipërmarrësi Omer Fortuzi, i cili do ta vazhdonte drejtimin e Dhomës edhe pas vitit 1940, ndonëse u zgjodh Kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Dhoma, formale gjatë regjimit komunist sidoqoftë, kjo histori do të ishte e mangët nëse nuk do të trajtonim edhe historinë e Dhomës së Tregtisë gjatë regjimit komunist, në kushtet e likuidimit të pronës private dhe vendosjes së marrëdhënieve ekonomike të centralizuara të shtetit. Krijimi i Dhomës së Tregtisë të Shqipërisë më 1958, ishte një realitet që ekzistonte në Tiranë dhe Dhoma e Tregtisë mbante marrëdhënie me mjaft Dhoma të vendeve të tjera, duke kryer nga ato detyra që në Perëndim i kryenin Dhomat e Tregtisë.

Gjatë viteve 1958-1990, Dhoma e Tregtisë, ndonëse ligjërisht shfaqej me funksionin e një “organizate shoqërore për t’i dhënë një impuls të mëtejshëm zhvillimit dhe forcimit të lidhjeve tregtare me vendet e tjera, për zhvillimin e përparimin teknik në fushën e prodhimeve për eksport dhe në atë të propagandimit të arritjeve të vendit tonë”, në praktikë s’ishte gjë tjetër veçse një institucion a ndërmarrje, pjesë e administratës shtetërore. Kjo dukej dhe shprehej qartë në përbërjen e anëtarëve të saj: Dhoma e Tregtisë ishte një bashkim nga lart i ndërmarrjeve ekonomike të krijuara nga shteti, të cilat përfaqësonin interesat e tij në marrëdhëniet me jashtë, sipas degëve të ndryshme të ekonomisë. Siç theksohej në vendimin për krijimin e saj, Dhoma e Tregtisë kishte “qëllim nxitjen e zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike të Shqipërisë me botën e jashtme”.

Në vitin 1958, në krye të Dhomës vendoset si Kryetar Nderi, një këshilltar i Kryeministrit të Shqipërisë, Koço Prifti, që në vitet 1964-1966 do të jetë kryetar permanent i saj. Gjatë 40 vjetëve, deri në vitin 1990 kur ndodhën ndryshimet demokratike dhe u vendos ekonomia e tregut të lirë, në krye të Dhomës kanë qenë edhe: Thanas Gjoka (1960-1961); Sheri Baboçi (1967-1973); Petraq Bellani (1974-1975); Nikolla Profi (1976-1983); Ligor Dhamo (1986-1993).

Dhoma e Tregtisë, ndryshimi i madh në ekonominë e tregut transformimet demokratike që u kryen në Shqipëri pas vitit 1990, krijuan kushtet për ndryshime rrënjësore në marrëdhëniet ekonomike dhe në zhvillimin e tyre. Vendosja e ekonomisë së tregut të lirë, gëzimi lirisht i pronës private dhe i ushtrimit të biznesit privat, nxitja e zhvillimit të ekonomisë përmes ligjeve dhe rregullave të ekonomisë kapitaliste të tregut, ishin masa që çuan jo vetëm në një kthim timoni në ecjen e ekonomisë dhe tregtisë, por edhe ngritjen e institucioneve bazë për krijimin dhe formimin e alternativave të reja të zhvillimit.

Vitet ’90 janë vite të revolucionit në marrëdhëniet e biznesit të ri të sapokrijuar, që sapo merrte frymë i lirë dhe po hidhte hapat e parë ende të pasigurta në një terren ku dominonin marrëdhënie krejt të pasigurta politike, ekonomike dhe shoqërore. Vetë Dhoma e Tregtisë, e cila deri në këtë kohë vazhdonte të ishte një e vetme dhe përfaqësonte Tiranën dhe Shqipërinë, gjatë vitit 2003 u bë iniciatore e përgatitjes dhe oponencës për ligjin e parë “Për dhomat e tregtisë dhe të industrisë“ nr. 7804, i cili u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë dhe mban datën10 mars 1994, që ishte një përpjekje për krijimin e një Dhome Tregtie të modelit të ri. Sipas ligjit të ri, në Shqipëri krijohej një sistem i organizuar i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë; ato mund të krijoheshin në të 36 rrethet e vendit, si dhe krijohej edhe Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, si një institucion, që do të mblidhte rreth vetes, tërë sistemin e Dhomave, duke u bërë përfaqësues i tyre në shkallë vendi, si në marrëdhëniet me jashtë, me organizmat ndërkombëtare.

Ishte ligji i parë që organizonte jetën, funksionin, veprimtarinë e Dhomave të Tregtisë në kushtet e një ekonomie të mbështetur në tregtinë e lirë. Përvoja e pakët, mosnjohja e problematikës së marrëdhënieve të biznesit, etj. ishin disa nga faktorët, të cilët bënë që shumë shpejt ky ligj të shfaqte të metat e tij dhe të kërkohej përmirësimi e ndryshimi. Ligji i ri “Për Dhomat e Tregtisë dhe të Industrisë“, Nr. 9640, datë 9.11.2006, realizoi mjaft ndryshime në strukturën e ndërtimit të këtij institucioni, duke vendosur ngritjen e tyre në 12 qarqet e vendit, ndërsa në qytetet, ku shihej e domosdoshme, do të kishte zyra përfaqësimi.

Gjatë këtyre viteve për herë të parë krijohet një Dhomë Tregtie që mbështet biznesin privat dhe vihet në shërbim të tij. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë ka patur këta drejtues: Zenel Hoxha (1993-1994); Arben Shehi (1994-1999); Luan Bregasi (1999 – 2007); Gjokë Uldedaj (2007-2009) dhe Nikolin Jaka nga viti 2009 e në vazhdim. Ne kemi mundur të zbulojmë dokumente për 15 kryetarë në vite të kësaj Dhome, duke filluar me kryetarin e parë të njohur prej nesh: Fuat Bej Toptani – në vitin 1897; Ali Begeja (1923-24); industrialisti Aleksandër Hobdari (1926-28); Hamdi Bimbashi (1929-31); sipërmarrësi Omer Fortuzi (1932-40); Koço Prifti (1958-60 dhe 1964-66); Thanas Gjoka (1960-61); Sheri Baboçi (1967-73); Petraq Bellani (1974-75); Nikolla Profi (1976-83); Ligor Dhamo (1986-93); Zenel Hoxha (1993-94); Arben Shehi (1994-99); Luan Bregasi (1999 – 2007); Gjokë Uldedaj (2007-2009) dhe Nikolin Jaka nga viti 2009 e në vazhdim.

Një realitet i ri u krijua në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë të Tiranës, ku gjatë një viti janë realizuar ndryshime thelbësore strukturore dhe, me departamentet vepruese e më afër nevojave reale të biznesit, është krijuar një fytyrë e re e institucionit të biznesit të kryeqytetit. Një drejtim profesional, me vizion të qartë për të ardhmen, e ka vendosur Dhomën e Tregtisë të Tiranës në pikën orientuese për të gjithë biznesmenët e kryeqytetit, të vendit dhe të huaj, për institucionet qendrore ekonomike të shtetit shqiptar dhe organizatat prestigjioze ekonomike ndërkombëtare, e ka bërë atë një qendër referimi në zhvillimin e strukturave ekonomike ndihmëse për biznesin dhe rritjen e shërbimeve ndaj tij.