Gruaja në biznes, çfarë përfaqëson
Cili është roli i gruas sot në sipërmarrje? Si ka ndryshuar qasja e administrimit të biznesit nga zonjat, që në nisje të ekonomisë tonë të decentralizuar? Çfarë përfaqësojnë ato dhe si ka ndryshuar sot raporti i drejtimit të kompanive nga gratë
Nga Edlira Prenga
Nëse në vitet e para të hapjes në një ekonomi tregu ishte e vështirë të bëje biznes duke qenë femër, sot ky realitet ka ndryshuar. Edhe pse mbetet e vështirë gjithmonë të realizosh iniciativën tënde, dhe kjo jo për shkak të gjinisë, por për shkak të rregullave të tregut që mbeten kaotike. Por si ka ndryshuar qasja e gruas në biznes? A është e vështirë të jesh sot grua në sipërmarrje? Në komunikimet që kisha me zonjat në fazën e intervistimit të tyre, gjeta një emërues të përbashkët: Nuk shohin ndarje gjinore grua burrë, shohin vështirësi si në çdo gjë që bëjnë, por janë të bindura që me punë i dilet çdo gjëje. Natyrisht në bizneset e tyre të vogla, pasi dhe sot e kësaj dite në korporata të mëdha janë burrat që e marrin si iniciativë, pasi vetë profili i punës mbetet i tillë. E në fakt nuk është perceptim i krijuar vetëm nga këto komunikime të fundit që kisha për më shumë se dy muaj, por janë dhe shifrat që e japin një konfirmim të tillë. Si është raporti i grave në sipërmarrje sipas Institutit të Statistikave? Të dhënat e fundit i përkasin vitit 2017 dhe flasin për një ndryshim të rëndësishëm dhe rritje të rolit të femrës në sipërmarrje.
Vendimmarrja dhe biznesi
Në vitin 2017, përqindja e grave ndërmjet pronarëve apo administratorëve të ndërmarrjeve është rritur në 29.7% nga 26.8% që ishte në vitin 2016. Përqindja e pronareve/administratoreve gra është më e lartë në ndërmarrje të vogla ( me 1-4 të punësuar) 30.2% por ka pësuar rritje në të gjitha kategoritë krahasuar me vitin paraardhës. Rritja më e madhe në vitin 2017, është regjistruar në ndërmarrjet me mbi 10 të punësuar, ku ka 5.0% më shumë gra pronare ose administrator se një vit më parë.
Ndërmarrjet aktive sipas aktivitetit ekonomik
Numri i pronareve gra ose administratore në vitin 2017, është rritur si përsa i përket bizneseve me aktivitet ekonomik prodhues ashtu dhe sektorit të shërbimeve. Numri i bizneseve me pronare ose administratore gra është më i madh në Sektorin e Shërbimit sesa në Sektorin Prodhues, përkatësisht 36.3 dhe 16.1%. Por, rritja më e madhe ka ndodhur në Sektorin e Shërbimeve, me 9% krahasuar me një vit më parë.
Ndërmarrjet aktive sipas qarqeve
Në vitin 2017, shpërndarja sipas qarqeve e ndërmarrjeve aktive tregon se ndërmarrjet me pronare apo administratore gra janë të përqendruara në qarkun e Tiranës, 35.6% ndjekur nga qarku i Durrësit 32.5%. Përqindja e ndërmarrjeve të zotëruara apo të drejtuara nga gratë në vitin 2017, ka pësua rritje në të gjitha qarqet krahasuar me një vit më parë. Përqindja e ndërmarrjeve të zotëruara/ drejtuara nga gratë është më e madhe në Sektorin e Shërbimit krahasuar me atë të Prodhimit, në të gjitha qarqet, por përqendrimi më i lartë i atyre që prodhojnë shërbime është në Tiranë, 37.9 % ndërsa përqendrimi më i lartë i prodhueseve të të mirave është në Elbasan, 21.7%.
35.6 %
Tirana është qarku me përfaqësimin më të madh të biznesit drejtuar nga femra. Ndërmarrjet me pronare apo administratore gra janë të përqendruara në këtë qark me 35.6 %
1 në 5
Një në pesë firma me të ardhura prej 1 milionë dollarësh ose më shumë janë në pronësi të femrave.
30%
Bizneset në pronësi të femrave përbëjnë rreth 30 për qind të të gjithë bizneseve në mbarë botën

Cilat janë sfidat e grave sot
Edhe pse kohët e fundit, numri i grave sipërmarrëse është rritur, ato vazhdojnë të përballen ende me sfida të shumta në mjedisin e biznesit. Forbes në një studim të fundit të saj rendit problemet kryesore që ndeshin sot gratë në sipërmarrje.
1. Financim i kufizuar
Jo të gjithë njerëzit që fillojnë një biznes janë më fat dhe kanë një investitor që i mbështet në këtë rrugëtim, dhe në këtë grup numrin më të madh e zënë gratë, ku bizneset e tyre janë ndër sipërmarrjet kryesore të cilave nuk u jepet mbështetje financiare. Zakonisht një gjë e tillë ndodh vetëm për shkak të paragjykimeve gjinore të cilat nuk i shohin gratë sit ë zonja për të qenë të suksesshme në biznes, ndaj edhe shumë institucione kanë tendencë që të financojnë më shumë bizneset në pronësi të burrave.
2. Mosbalancim përgjegjësish
Një numër i madh i grave që janë pjesë e mjedisit të biznesit nuk janë vetëm sipërmarrëse, ato janë bashkëshorte, nëna dhe kanë shumë përgjegjësi të tjera përveç karrierës së tyre. Dhe pikërisht këto përgjegjësi të shumta si një jetën personale ashtu edhe në atë profesionale dhe mbi të gjitha mosmenaxhimi i duhur i tyre, mund të ushtrojë një presion shumë të madh mbi gratë, aq sa një numër i lartë janë detyruar të heqin dorë nga të qenët sipërmarrëse.
3. Frika ndaj dështimit
Sipërmarrja ose drejtimi i një biznesi shoqërohet me risqe të shumta dhe me situata të paparashikuara. Kurrë mos keni frikë nga dështimi, sepse nëse ju ndodh që të keni frikë ju asnjëherë nuk do të rrezikoni. Askush nuk e ka të sigurtë suksesin kur ndërmerr një sipërmarrje të caktuar. Frika ndaj dështimit është më e theksuar të gratë sipërmarrëse sesa tek meshkujt edhe si pasojë e mosbesimit nga të tjerët. Dhe pikërisht edhe si pasojë e një gjëje të tillë, të shumta mund të jenë gratë të cilat e nisin një sipërmarrje me frikën e dështimit dhe jo me besimin se do t’ia dalin mbanë.
4. Mungesë mbështetjeje
Ku do të ishin gratë në gjendje të arrinin nëse ato do të kishin me vetëm mbështetjen e duhur? Sfidat e vazhdueshme dhe dështimet e shumta më të cilat përballen gratë në mjedisin e biznesit mund të jenë edhe pasojë e mungesës së duhur të mbështetjes. Ato përballen me sfida të shumta që nga mungesa e kontakteve të duhura e deri tek mungesa e mbështetjes financiare.
5. Pabarazi gjinore
Çfarë doni të dini për pabarazinë gjinore? Ligjet, kulturat, feja dhe politika janë ndërtuar të gjitha mbi bazën patriarkale dhe grave nuk u mbetet gjë veçse të përballen me këtë sfidë shumë të madhe. Edhe pse në ditët e sotme një pjesë e madhe e ligjeve dhe politikave kanë tentuar që jo vetëm grave për të gjithëve t’u krijohet një mjedis biznesi sa më i favorshëm, aktualisht një pjesë e madhe e këtyre ndryshimeve ende nuk janë zbatuar.
6. Njohuri e kufizuar
Fuqizimi i një gruaje me njohuri është vetëm fillimi i një udhëtimi të gjatë drejt suksesit të biznesit. Jeta është një proces i përditshëm mësimi ku çdo ditë vjen me informacion të ri. Për fat të keq, qasja e grave ndaj këtij informacioni dhe njohurive të reja është e kufizuar, gjë kjo e cila mund të jetë edhe si pasojë e një mjedisi konkurrues.
7. Mjedis i pafavorshëm biznesi
Ndër sfidat me të cilën përballen gratë sipërmarrëse është edhe një mjedis i pafavorshëm biznesi, i cili në vende të caktuara si pasojë edhe e besimit fetar vështirësohet akoma edhe më shumë. Në disa vende feja nuk i lejon grave që të jenë pronare të një biznesi të caktuar. Por pavarësisht këtyre sfidave, bota e biznesit po e pranon edh pse shumë gradualisht kontributin e grave në botën e biznesit.
8. Ndrojtja
Të shumta janë gratë të cilat janë shumë të suksesshme në botën e biznesit, e megjithatë ato janë shumë pak të njohura sepse nuk i reklamojnë arritjet e tyre, shpeshherë edhe për shkak të ndrojtjes së tyre. Por përulësia është diçka tjetër dhe ndrojtja është diçka tjetër. Gratë duhet të qëndrojnë krah për krah me sukseset e tyre dhe t’ia tregojnë të gjithëve arritjet e tyre.