Flutura Xhabija: Suksesi im, kur mbeta pa punë dhe thashë: Tani secili për vete
Si e ka nisur Flutura Xhabija rrugën e saj në biznes dhe sot në drejtimin e një nga shoqatat më të mira në mbrojtje të gruas sipërmarrëse? Kur ishte ai moment që vendosi të ndjekë rrugën e saj në privat dhe cila është kauza që ajo mbron?
Të gjithë e njohin Fluturën. Është një njeri që përpiqet të gjejë kohë për gjithçka dhe mbrojtjen e gruas në sipërmarrje, sidomos ato që kanë më shumë nevojë në biznesin e vogël e ka kthyer në kauzën e jetës së saj. Është e vështirë ta gjesh të lirë, më shumë është nëpër rrethe apo jashtë vendit….gjithnjë në përpjekje për të bërë më të mirën për shoqatën që drejton.
Si ka nisur puna juaj dhe prej sa kohësh merreni me shoqatën e grave?
Në vitin 1991, fillova punë si përkthyese ligjore private dhe krijova firmën Instituti Privat i Përkthimeve “Flutura & Sons”. Në vitin 1992 themelova edhe Shoqatën Kombëtare të Grave Profesioniste, Afariste dhe Zejtare, duke u përkushtuar për afro tri dekada në fushën e sipërmarrjes femërore. Kjo shoqatë në fillim u shtri vetëm në Tiranë dhe pas 5 viteve në 6 rrethe e pastaj arriti të ketë grupin përfaqësues në të gjitha prefekturat, pra sot ka degët e saj në 12 rrethe. Në vitin 2010 u përfshin 10 gra ambasadore në rrjetin evropian të grave sipërmarrëse europiane; në vitin 2011 u përfshimë në rrjetin 400 anëtarësh, edhe 10 ambasadorë dhe 10 mentore të tjera në këtë rrjet: në vitin 2012 botova studimin me suportin e ILO-s “Situata e gruas sipërmarrëse në Shqipëri” dhe hap pas hapi kemi mbërritur këtu ku jemi sot. Jam presidentja e parë e unionit Ballkanik zejtar, dhe bashkë themeluese e forumit të grave të AIC, bashkëthemeluese e Dhomës së Tregtisë Shqiptare-Amerikane, Anëtarë e bordit e AFFAEME, grupim i madh i sipërmarrjes femërore në Barcelonë, pjesë e UFM dhe së fundmi anëtare e Bordit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë.
Si është të jesh sot një grua në biznes?
Vetëbesim, bashkëpunim, dije dhe aftësi. Një balancë punë, familje, shoqëri. Këto janë elementët kryesorë e bëjnë një femër në biznes të jetë e vlerësuar në atë çfarë bën.
Nëse do të ishit kthyer disa vite më parë do të bënit sërish të njëjtën gjë?
Patjetër që po. Është e vetmja gjë që të jep pavarësi dhe personalitet.
Si është te jesh nënë, si e menaxhon kohën e saj dhe a mendoni që keni qenë mjaftueshëm prezente për fëmijët e tu kur ata kanë patur nevojë? Sa ke ndikuar në formimin e tyre?
Puna në këtë formë është shkollë për gjithë familjen, një përvojë dhe përgatitje për ekonomi tregu të të gjithë familjes.
Cili ka qenë një moment suksesi që ka vendosur të ardhmen tuaj në sipërmarrje dhe a keni patur raste kur keni thënë mjaft nuk mund të vazhdoj më?
Kur ngela pa punë dhe për një çast mendova, Zoti për të gjithë secili për veten. Mjerë ai/ajo që nuk mendon për një biznes të vogël, mikro apo më tej.
Ndryshe nga fillesat tuaja të biznesit, çfarë politikash nxitëse mendoni se duhet të ndërmarrë qeveria për mbështetjen e gruas sipërmarrëse, a do të mund të bëhej diçka më mirë?
Politika të dedikuara dhe një diskriminim pozitiv në shumë nisma shtetërore e politike; pjesëmarrje në tavolinat vendimmarrëse lokale dhe kombëtare; strategji afatmesme dhe afatgjata për sipërmarrjen femërore urbane dhe rurale.
Çfarë është SHGPAZ
Shoqata e Grave Profesioniste Afariste dhe Zejtare përfaqëson atë grup të grave dhe vajzave që e konsiderojnë biznesin e tyre si, humanizëm, emancipim të kulturës dhe ekonomisë. SHGPAZ është një nga shoqatat më të vjetra në Shqipëri, e cila është krijuar në vitin 1992 dhe është e njohur në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare. Misioni i këtij grupi është emancipimi i grave shqiptare nëpërmjet rritjes së autoritetit të tyre në të gjitha profesionet, mjeshtëritë dhe sipërmarrjet. Fokusi themelor i saj mbetet mbështetja, inkurajimi në aktivitetin e tyre ekonomik, profesional e artizanal. Strategjia e këtij grupi është suporti real i zhvillimit të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme të drejtuara nga gratë në Republikën e Shqipërisë. Është e vetmja shoqatë në fushën ekonomike me jetëgjatësi 24 vjeçare, e vetmja shoqatë grash në biznes, me 40 partnerë të huaj dhe me tituj ndërkombëtar dhe certifikime e vlerësime të panumërta nga institucione serioze në botë. SHGPAZ, ka zhvilluar një sërë shërbimesh për gratë shqiptare në biznes nëpërmjet informimit, trajnimeve, organizimit të forumeve tregtare dhe B2B, ekspozitave, seminareve, konferencave dhe bisedave televizive brenda dhe jashtë vendit duke qenë pjesë e rrjetit me organizatat e shumta rajonale dhe ndërkombëtare edhe në fushën e sipërmarrjes rozë. Shoqata ka në përbërje biznese të ndryshme, shërbime dhe prodhime, ndërtim dhe ligjshmëri, turizëm dhe artizanat, shitblerje dhe IT, imobiliare dhe arkitekturë, mobileri dhe mjekësi private etj. Ndër pikat e forta të shoqatës është lidershipi i saj vizionar, bashkëpunues dhe tolerant, duke u bërë një guidë e mirë edhe për shoqatat e tjera të cilat kërkonin dhe kërkojnë edhe bashkëpunim, bashkëveprim, konsulencë, advokasi dhe rrjetëzim. Sot, ShGPAZ mbulon rrjetin e gruas në ekonomi, i cili edhe pse joformal vepron cilësisht në grupin e madh të shoqatave që marrin pjesë në të.