Ervehe Dervishi: Të qenit grua në biznes, është njëkohësisht privilegj dhe sakrificë
Kirurgia Ervehe Dervishi ka ndarë me ne pasionin e saj në punën që bën dhe rrugën e gjatë të biznesit që ka nisur për t’ju ardhur në ndihmë të sëmurëve në vendin tonë. Edhe pse sot ka privilegjin të jetë në një pozicion më komod si drejtimi i një spitali, kirurgen e njohur e gjen shpesh në sallën e operacionit për t’u kujdesur që gjithçka të shkojë mirë. Veku, siç edhe e njohin të gjithë, është imazhi i mjekes që humanizmin e ka në shpirt, e transmeton në sytë e saj dhe e përcjell nëpërmjet profesionalizmit përballë sëmundjes që ende nuk ka një kurë përfundimtare. Të qenit grua në biznes ajo e sheh si një siguri dhe ndershmëri në menaxhim, sesa qenia nën çadrën e një mashkulli. Bashkëpunimi që ajo ka sjellë në Shqipëri me grupin më të madh, lider në shërbimet mjekësore jo vetëm në Itali por edhe në Europë siç është Grupi Villa Maria, është për të një moment suksesi. “Ortakëria me ta solli një riforcim të biznesit tim dhe njëkohësisht solli për popullsinë shqiptare standard europian në shërbimet mjekësore. Shoqërisë shqiptare nuk i duhet më të udhëtojë nëpër Europë me kosto të lartë, kur të njëjtin shërbim dhe profesionalizëm e gjen dhe në Shqipëri”, shprehet ajo.
Kur e keni filluar biznesin tuaj, çfarë produkti ose shërbimi ofroni për tregun ?
Profesioni im është kirurge onkologe prej vitit 1983, e specializuar për senologji dhe kirurgji onkologjike në Rome-Itali. Deri në vitin 2008 unë kam dhënë kontributin tim si kirurge primare onkologe në shërbimin onkologjik QSUT-Nënë Tereza. Fushën e biznesit mjekësor e kam startuar në vitin 2004. Duke u bërë kështu nga të parat investitore në shërbimin mjekësor privat.
Si është të jesh sot një grua në biznes?
Të qenit grua në biznes është njëkohësisht privilegj dhe sakrificë. Kjo është një “luftë” e vazhdueshme kundër mentalitetit maskilist të shoqërisë. Me rezultate konkrete pozitive konfirmojmë çdo ditë që një grua është e aftë të menaxhojë dhe përballet me vështirësitë e një biznesi. Të qenit grua në biznes të ofron më shumë siguri dhe ndershmëri në menaxhim, sesa të jesh në çadrën e një mashkulli.
Me sa punonjës e keni nisur punën në kompani dhe sa keni sot?
Ndihem krenare të them se ne kemi startuar në vitin 2004 me një numër modest prej 12 punonjësish ku dominoheshim nga 60% femra dhe sot kam rreth 80 punonjës duke ruajtur të njëjtin nivel prej 60% femra.
Nëse do të ishit kthyer disa vite më parë do të bënit sërish të njëjtën gjë?
Patjetër po me të njëjtën dëshirë dhe përkushtim!
Fakti që kohën tuaj në sipërmarrje e ndani me bashkëshortin jua ka bërë punën më të lehtë apo ju ka penalizuar në raste të caktuara?
Gjithmonë bashkëshorti im ka qenë një suport pozitiv dhe mbështetës i ideve dhe vendimeve të mia në biznesin tim.
Si është te jesh nënë, si e menaxhon kohën e saj dhe a mendoni që keni qenë mjaftueshëm prezente për fëmijët e tu kur ata kanë patur nevojë? Sa ke ndikuar në formimin e tyre?
Biznesi im nuk ka qenë asnjëherë pengesë për të ushtruar kujdes ndaj familjes dhe djalit tim. Unë dhe bashkëshorti im kemi ditur të ndajmë kohën dhe të përkushtohemi në formimin e djalit tim. Jam shume krenare sot që djali im po ecën në gjurmët e mia si kirurg primar edhe pse unë nuk ja kam imponuar kurrë profesionin tim.
Cili ka qenë një moment suksesi që ka vendosur të ardhmen tuaj në sipërmarrje dhe a keni patur raste kur keni thënë mjaft nuk mund të vazhdoj më?
Uljet dhe ngritjet në biznes janë të njohura. Flija në darkë me idenë për të hequr dorë nga gjithçka por në mëngjes zgjohesha me energji dhe ide të reja për të vazhduar më tej.
Moment suksesi ka qenë sjellja në Shqipëri e grupit më të madh, lider në shërbimet mjekësore jo vetëm në Itali por edhe në Europe siç është Grupi Villa Maria. Ortakëria me ta solli një riforcim të biznesit tim dhe njëkohësisht solli për popullsinë shqiptare standard europian në shërbimet mjekësore. Shoqërisë shqiptare nuk i duhet më të udhëtojë nëpër Europë me kosto të lartë, kur të njëjtin shërbim dhe profesionalizëm e gjen dhe në Shqipëri.
Ndryshe nga fillesat tuaja të biznesit, çfarë politikash nxitëse mendoni se duhet të ndërmarrë qeveria për mbështetjen e gruas sipërmarrëse, a do të mund të bëhej diçka më mirë?
Patjetër gjithmonë ka vend për përmirësim, jo vetëm për bizneset e krijuara dhe të ndërtuara nga gratë por për biznesin në tërësi. Shëndetësia falas ishte një nismë e mirë e qeverisë. Bashkëpunimi me fondin e sigurimeve shëndetësore është një suport i domosdoshëm i shëndetësisë private pa të cilën ne si biznese shëndetësore ndihemi në vështirësi maksimale për të përballuar kostot e tregut. Duke qenë se niveli ekonomik i popullsisë është i ulët dhe standardet që ne ofrojmë janë të nivelit europian, kjo sjell një mosakordim midis asaj që ne ofrojmë dhe vlerës së kostove reale të shërbimit. Do t’i propozoja qeverisë një bashkëpagesë ndërmjet fondit të sigurimeve shëndetësore dhe pacientëve, me qëllim mbulimin e këtyre kostove që popullsia shqiptare të vazhdojë të marrë shërbimet e kualifikuara.
Spitali Villa Maria
Spitali Villa Maria i Tiranës është një strukturë moderne me katër kate që disponon 48 shtretër, me autorizim të Ministrit të Shëndetësisë së Shqipërisë për si shërbim komplementar në urgjenca një ditë në javë, të mërkurave. Janë të pranishëm edhe tre shtretër për reanimacionin e kirurgjisë së përgjithshme dhe katër të tjerë për terapinë intësive për kardiokirurgjinë. Në 2011 hyri në network-un e GVM Care & Research, një ndër grupet kryesore të kujdesit shëndetësor italian të spitaleve private, i pranishëm në Itali dhe jashtë saj me mbi 30 struktura. Ky integrim mundësoi rritjen e nivelit të performancës duke ofruar kështu një shërbim shëndetësor tepër të specializuar. Spitali Villa Maria i përgjigjet kritereve të avancuara të kujdesit shëndetësor dhe cilësia është një tipar thelbësor i të gjithë aktivitetit të tij. Pajisjet moderne teknologjike, specialistët me kompetenca të larta, profesionaliteti dhe personeli tekniko-administrativ bashkëpunojnë në implementimin e rrugëve parandaluese, diagnozave dhe kurave të mundshme të personalizuara. Dhe në fakt mirëqënia e pacientëve, në përputhje me filozofinë e GVM, është në thelbin e aktivitetit të brendshëm spitalor.