Donika Mici: Nëse nuk punon nuk fiton, nëse sheh telenovela thjesht do të ëndërrosh
Donika Mici është emër i njohur për këdo. Ajo është një nga të parat femra sipërmarrëse në vendin tonë. Nëse fillimet e punës së saj i përkasin vitit 1992 tashmë ajo ka krijuar produktin e vet “Made in Albania”. Gjithmonë në kërkim të të resë dhe përqafimin me teknologjinë, Donika sot ka një brand të vetin dhe ja ka dalë mjaft mirë. Është një njëri gjithnjë në lëvizje dhe shumë aktive, por kohën më të madhe sërish pas kaq vitesh e kalon pranë kompanisë së saj. Përpiqet të jetë sa më afër familjes së saj edhe pse pranon që do të donte më shumë kohë për këtë gjë. Nuk e sheh si një pabarazi mes gjinive sipërmarrjen, por e sheh si një punë sektoriale ku në momente të caktuara ka nevojë të mbështetet njëri apo tjetri sektor. Donika gjithashtu ka një mesash për ato që duan të marrin iniciativë të reja. Punë ka gjithmonë dhe tregu ynë ka ende shumë hapësira thotë ajo, por nëse sheh telenovela vetëm do të ëndërrosh.
Kur e keni filluar biznesin tuaj, çfarë produkti ose shërbimi ofroni për tregun?
E kam filluar biznesin në qershor të vitit 1992. Shërbejmë produktin tonë Made in Albania në të gjitha tregjet ndërkombëtare.
Ndryshe nga fillimet, sot pas kaq vitesh e keni kthyer në një markë tuajën tashmë?
70 për qind po është një markë e jona dhe 30 për qind janë markat e të tjerëve.
Si është të jesh sot një grua në biznes?
Si një skllave. Si në shpi dhe në biznes njësoj është gruaja. Biznesi nuk i ndan burrë grua. Burrat e kanë një çik më të thjeshtë sepse kanë mundësinë e të ndenjurit nëpër bare. Sistemi i punës tonë nuk është një sistem që mund të harxhojmë kohën. Ndërsa ne gjithë energjitë tona duhet t’i shfytëzojmë pranë biznesit.
Nëse do të ishit kthyer disa vite më parë do të bënit sërish të njëjtën gjë?
Nuk e di. E mendoj shpesh se është një punë shumë e lodhshme. Po ta dija që është kaq e vështirë ndoshta do të kisha bërë diçka më të thjeshtë.
Si është te jesh nënë, si e menaxhon kohën e saj dhe a mendoni që keni qenë mjaftueshëm prezente për fëmijët e tu kur ata kanë patur nevojë? Sa ke ndikuar në formimin e tyre?
Nuk arrin dot kurrë t’i barazosh këto gjëra, sepse duke qenë në një biznes kaq të madh në atë prodhues, normalisht që do të neglizhosh diçka. Preferoj të neglizhoj në gjërat e mija personale sesa të neglizhoj tek fëmija. Edhe pse mundohem të jem sa më afër fëmisë, puna më merr kaq shumë kohë dhe normalisht nuk jam aq prezentë sa ç’mund të jetë një nënë që është në një punë shtetërore apo shtëpiake. Ju mungoj pasi jam gjithë kohën në lëvizje në angazhime. Kam deficite të mëdha në këtë drejtim.
Cili ka qenë një moment suksesi që ka vendosur të ardhmen tuaj në sipërmarrje dhe a keni patur raste kur keni thënë mjaft nuk mund të vazhdoj më?
Ka qenë një kërkesë tregu që ishe i detyruar që merrje këtë rrugë. Ka qenë një zgjidhje e detyrueshme sepse sektori ku unë punoj të detyron ose të marrësh këtë rrugë, ose do të mbetesh fason dhe do të shuhesh si puna e flakës së qiriut. Kur vjen ajo kohë që rritet standardi ti nuk mund të vazhdosh më fason, dhe rritet kosto e kjo sjell normalisht një kërkesë të re. Duke pasur brendin tënd, duke pasur teknologji, duke pasur këtë eksperiencë normale që reziston më shumë në fushën ku punoj.
Ju shoh shumë aktive si në pjesëmarrjen në politikat qeverisëse, në zërin dhe kërkesat që ju ngrini. Këtë e bën Donika për veten apo për të gjithë gratë?
Asnjëherë nuk kam kërkuar asgjë për veten, nuk kam patur asgjë personale. Kur kam ngritur zërin për politika të caktuara gjithnjë ka qenë për të mbështetur sektorin dhe për t’i dhënë mundësi dhe frymëmarrje sektorit. Asnjëherë nuk kam kërkuar asgjë personale që do bëhet për mua apo duhet të bëhet për mua. Atë çfarë kam kërkuar nga qeveria apo nga të gjithë qeveritë ka qenë që duhet bërë kjo reformë që të mbijetojnë të tjerët.
A është dëgjuar zëri?
Shpeshherë dhe është dëgjuar.
A ka ndryshuar sot politika në raport me përkrahjen për gruan ose jo në biznes?
Nuk është e ndarë, nuk ndahet biznesi në gra dhe në burra. Për mendimin tim ai ndahet në sektorë. Pra kur mbështet një sektor mbështet të gjithë sektorin. Nuk e kam parë kurrë në këtë sens. Nuk është parë në Shqipëri që të mbështetet burra apo gra dhe nuk kam parë ndonjëherë efekt të kësaj gjëje. Është mbështetur sektorialisht nëse është mbështetur ndonjë gjë, o bujqësia, o industria e lehtë ku ne operojmë. Të gjitha ndërhyrjet janë bërë në mënyrë sektoriale, jo nëpërmjet gjinisë.
A duhet të kishte politika nxitëse?
Normalisht gruaja punon më shumë, nuk di të bëjë shumë hile, është më korrekte si me shtetin edhe me të punësuarit edhe me biznesin, kështu që mendoj se gruaja duhet të ishte mbështetur shumë më shumë.
A ka propozime konkrete?
Për mua duhet të ketë incentiva ose politika fiskale që të ndihmojnë sektorët ku punojnë shumë gra që mbajnë familjen e ku drejtohen nga gra. Sepse unë mendoj që sot në Shqipëri jemi 40 për qind gra që drejtojmë sipërmarrjen. Normal që kur unë kam filluar biznesin ka qenë 99 për qind burra dhe 1 për qind gra, por sot ka ndryshuar sistemi dhe shohim që gratë po marrin fuqi në drejtimin e bizneseve, jo sepse nuk kanë qenë të afta në ato vite, por sepse ka qenë shumë më e vështirë të dalësh në terren. Kanë qenë përiudha të vështira dhe ka qenë e nevojshme që të jetë burri në terren, sepse ka qenë jeta e pasigurtë, sepse ke patur marrëdhënie me njerëz të tipeve të ndryshme. Sot gjërat kanë ndryshuar, pasi në ato kohë vinim nga një sistem tjetër dhe ka qenë gjithçka e re dhe askush nga ne nuk e kuptonte dhe duhej shumë vëmendje dhe shumë sakrifica për të bërë punë.
90 për qind të energjive e kaloja duke “bërë luftë” si Don Kishot. Sot ndryshon realiteti, sot 90 për qind të kohës e kalon në punë dhe ky është një plus pasi nuk harxhon shumë kohë dhe energji për t’u marrë me zyrat e shtetit. Sot ka organizma që funksionojnë si Dhomat e Tregtisë dhe Shoqatat që dëgjohen pak më shumë nga qeveria dhe delegohen duke u bërë kërkesat në formë të organizuar.
Një mesash për femrat e reja që hyjnë në sipërmarrje…
Këshilla ime është që të hidhen dhe të kenë guximin për të punuar sepse Shqipëria ka ende shumë mundësi për të bërë shumë gjëra. Punë ka sa të duash po të krijosh dhe të kesh guxim. Kështu që të gjitha gratë kanë mundësi për të bërë punë dhe jo për të ndenjur duarkryq dhe të shohin telenovela. Po bëre do fitosh dhe do zhvillohesh, po ndenje duke parë telenovela do të ëndërrosh.
Donianna
Donianna është prodhuesi më i madh dhe më i suksesshëm i këpucëve në Shqipëri me më shumë se 850 të punësuar. Filloi aktivitetin në vitin 1992 si një biznes i vogël familjar, dhe tani përfshin tre kompani në grup: Donianna shpk, Rozimpex shpk dhe ASC 2 shpk. Krahas prodhimit të produkteve cilësore për firmat më të njohura në botë, Donnianna ka investuar në zhvillimin dhe promovimin e dy markave të veta, Donianna dhe Mici që tani po shiten në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare. Duke qenë një lider në treg, Donianna dizenjon dhe prodhon koleksione të modës, mbi 1000 stile të reja çdo sezon të cilat ekspozohen në panaire të ndryshme tregtare në mbarë botën. Donianna u ofron blerësve produkte të cilësisë më të lartë me çmime konkurruese. Stafi ynë shumë i kualifikuar krijon këpucë për burra, gra dhe fëmijë, duke përfshirë edhe këpucët e punuara me dorë. Forca e Doniannës është në prodhimin e ciklit të plotë që përfshin projektimin, modelimin, prodhimin, eksport, dhe shitjes me pakicë.