Diana Ylli: Nuk kam ndjerë vështirësi në biznes nga fakti i të qenurit grua
Biznesin e saj e ka nisur në vitin e mbrapshtë 1997. Megjithatë asnjëherë nuk ka menduar të tërhiqet nga ajo që Diana besonte që e bënte më mirë. Dhe tani pas kaq vitesh edhe pse ka të njëjtin intensitet pune, ja ka dalë të ketë një sipërmarrje të suksesshme duke rritur dhe numrin e të punësuarve. Edhe pse nuk e ndan punën e saj me bashkëshortin, ajo e konsideron një mbështetje të madhe, pasi jo vetëm që e ka nxitur në punën e saj, por dhe e ka ndihmuar në rritjen e vajzës dhe mirë edukimin e saj. Si të gjithë konsulentët kontabël është fjalëpakë dhe punëshumë dhe këtë na e tregon dhe në çka rrëfen, duke qenë e qartë dhe koncize në përgjigjet e saj.
Kur e keni filluar biznesin tuaj, çfarë produkti ose shërbimi ofroni për tregun ?
Unë kam filluar me biznesin tim privat në 1997. Atë vit fitova licencën e Ekspertes Kontabël dhe hapa zyrën time private fillimisht si person fizik. Shërbimet që unë ofroj janë auditimet ligjore, shërbime kontabiliteti, konsulenca tatimore, kontabël e të tjera të ngjashme.
Si është të jesh sot një grua në biznes?
Përsa kohë ne konsultojmë klientët, lloji i shërbimeve që ne ofrojmë lidhet direkt me interesat financiare të klientëve. Në momentin që ata e kuptojnë/ndjejnë rëndësinë e konsulencës që marrin, ata vlerësojnë profesionalizmin. Në drejtim të rritjes së biznesit tim në vite, unë personalisht nuk kam ndjerë vështirësi për faktin e të qënit grua.
Me sa punonjës e keni nisur punën në kompani dhe sa keni sot?
Fillimisht kam nisur e vetme në zyrë dhe si person fizik e regjistruar në organet tatimore. Në vitin 1999 u bashkova me 2 kolegë, ekspertë kontabël me të cilët krijuam shoqëri dhe vit pas viti duke u shtuar puna e duke u shtuar edhe të punësuarit, sot jemi mbi 35 persona në zyrë.
Nëse do të ishit kthyer disa vite më parë do të bënit sërish të njëjtën gjë?
E sigurt që po. Unë e dua profesionin tim. Kur kam zgjedhur degën për të cilën do studioja të them të drejtën nuk kam qenë e qartë, por më pas sa herë e kam menduar them me siguri që po të njëjtën gjë do kisha dashur të bëja.
A ndani kohën tuaj në sipërmarrje me bashkëshortin dhe a jua ka bërë punën më të lehtë apo ju ka penalizuar në raste të caktuara?
Biznesin nuk e kam me bashkëshortin, e kam më vete. Por në ecurinë time në biznes ka qenë shumë e rëndësishme mbështetja e bashkëshortit. Unë kam mbi 20 vite që punoj me orare të zgjatura. Pa mirëkuptimin dhe ndihmën e tij unë nuk do kisha arritur këtu ku jam sot.
Si është te jesh nënë, si e menaxhon kohën e saj dhe a mendoni që keni qenë mjaftueshëm prezente për fëmijët e tu kur ata kanë patur nevojë? Sa ke ndikuar në formimin e tyre?
Kemi një vajzë, e cila kur kam filluar unë biznesin ka qenë 9 vjeç. Lloji i biznesit që unë kam kërkon përfshirjen time totale. Dhe kjo ka bërë që unë të mos kem qenë mjaftueshëm prezente në shtëpi. Mungesa ime është kompensuar nga kontributi i bashkëshortit tim në familje dhe në edukimin e vajzës.
Cili ka qenë një moment suksesi që ka vendosur të ardhmen tuaj në sipërmarrje dhe a keni patur raste kur keni thënë mjaft nuk mund të vazhdoj më?
Si momente suksesi do veçoja:
- Së pari, në vitin 1997 kur unë fitova titullin e ekspertes kontabël dhe isha në 50 ekspertët e parë që licencoheshin në Shqipëri. Ky moment ndryshoi të ardhmen time totalisht. Deri në atë moment unë isha ekonomiste e punësuar në një ndërmarrje me orar fiks dhe një grua të përkushtuar në shtëpi në një grua të përkushtuar në biznes e cila punonte shumë për të ofruar cilësi të lartë shërbimi për zgjerimin e biznesit të saj.
- Së dyti do të përmendja vitin 2006, kur unë u zgjodha nga Asambleja e Eksperteve si Presidente e Institutit të Ekspertëve të Shqipërisë. Në këtë pozicion u zgjodha 2 herë rresht, në dy mandate deri në vitin 2012. Kjo periudhë kërkonte përkushtimin tim në Institut, gjë e cila më merrte nga koha e punës në biznesin tim. Por, për këtë jam mbështetur dhe ndihmuar nga kolegët e mi me të cilët aktualisht ndaja biznesin që prej vitit 1999.
Asnjëherë nuk e kam menduar të them mjaft, nuk mund të vazhdoj më.
Ndryshe nga fillesat tuaja të biznesit, çfarë politikash nxitëse mendoni se duhet të ndërmarrë qeveria për mbështetjen e gruas sipërmarrëse, dhe nëse po çfarë mund të bënte më mirë?
Në parim unë mendoj që Qeveria shqiptare duhet të zhvillojë politika të ndjeshme gjinore fiskale dhe legjislative për të siguruar që gratë sipërmarrëse të përmirësojnë qasjen në sipërmarrjet mikro dhe të vogla. Qeveria mund të aplikojë politikë tatimore të veçantë për gratë sipërmarrëse që nisin për herë të parë një biznes. Qeveria duhet të mbështesë në mënyrë aktive rrjetin e sipërmarrësve femërore, duhet të zhvillojë aktivitete që synojnë promovimin e sipërmarrjes e gratë. Duhet të promovojë platformat e rrjeteve për gratë në biznes. Shteti duhet t’i kthejë sytë nga gratë dhe në dhënien e fondeve dhe të granteve.