Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, organizon për herë të parë Forumin e Gruas në Sipërmarrje

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, organizon për herë të parë Forumin e Gruas në Sipërmarrje

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, organizon për herë të parë Forumin e Gruas në Sipërmarrje

Më 5 qershor të vitit 2019 u mblodh për herë të parë nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, forumi i Gruas në Sipërmarrje. Ideja e projektuar që në fillim të këtij viti mori kështu formë finale në një forum biznesi dhe në një botim me intervista të zonjave që ju bashkëngjitën kësaj ideje. Në një sallë me më shumë se 100 gra sipërmarrëse u ngritën ide dhe shqetësime që sot ka gruaja në biznes. Zonja me eksperiencë shumë vjeçare në biznes dhe ato të rejat që duan t’i përkasin kësaj bote ndanë eksperiencat e tyre të punës, problematikat dhe ajo çfarë mund të bëhet në një të ardhme të afërt. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, zoti Nikolin Jaka duke ju uruar mirëseardhjen zonjave në këtë aktivitet, u shpreh i hapur të dëgjojë të gjithë propozimet apo kërkesat që ato kanë. Nënkryetarja e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, zonja Valentina Gjoka, si një nga organizatoret e këtij aktiviteti që në krye të herës u shpreh se “nëpërmjet këtij eventi, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë kërkon që të tërheqë vëmendjen e të gjithë aktorëve, duke filluar nga qeveria, biznesi dhe shoqëria civile. Synojmë të adresojmë sfidat ekonomike me të cilat përballet sipërmarrja e grave, rritja e tyre, krijimi i vendeve të punës, fleksibiliteti i tregut të punes si dhe  financimi i tyre”. Sipas zonjës Gjoka, zgjidhja më e mirë, jo vetëm për sipërmarrjen, por edhe për gjithë shoqërinë, do të ishte përmirësimi i diversitetit dhe rritja e kontributit të gruas në ekonomi dhe shoqëri, bazuar në talent dhe meritokraci. “Dhoma e Tregtisë  dhe Industrisë Tiranë është institucioni më i madh i biznesit në Shqipëri. Në organet drejtuese të saj  ka përfaqësues nga sipërmarrja e grave, si nënkryetare ashtu edhe në kryesi, anëtare  nga Shoqata Kombëtare e Grave  Sipërmarrëse dhe Zejtare të Shqipërisë”, u shpreh Gjoka duke cilësuar se “ajo është përfaqësuesja legjitime dhe avokate e mbrojtjes se interesave të biznesit, pasi  biznesi i qarkut të Tiranës  kontribuon me mbi 40%  të GDP së vendit; 40% të totalit të eksporteve, gjithashtu në këtë qark operojnë 67% të numrit total të ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta”. Ndaj në këtë kontekst ajo ju bëri një ftesë të hapur grave pjesëmarrëse në forum që ta zgjerojnë netëorkun e tyre, duke qenë pjesë e Dhomës, pasi kjo do të sjellë një zë të unifikuar dhe kontribuese reale për një shoqëri më të mirë.

Në pjesën e parë të takimit ishin përfaqësues nga qeveria, bashkia apo dhe përfaqësues të organizmave të huaja ndërkombëtare të vendosura në vendin tonë.

Drejtoresha e INSTAT, Delina Ibrahimaj, si pjesë e këtij aktiviteti, foli në gjuhën e shifrave, duke theksuar se ka ndryshuar përfaqësimi i gruas në sipërmarrje, por që mbetet ende shumë për të bërë në këtë drejtim. Sipas INSTAT në vendin tonë 25.5% e grave janë të përfshira në tregun e punës me pagë, ndërsa pjesa tjetër janë të punësuara në biznes familjar  apo të vetëpunësuara. 42% e grave të punësuara janë në sektorin bujqësor, sektor që ka përfshirjen më të lartë të grave.

Zonja Anisa Ruseti, Drejtorja e Shërbimit Social pranë Bashkisë Tiranë, prezantoi para zonjave, projektin më të fundit të Bashkisë që ka të bëjë me ndihmën që ju jepet grave që duan të nisin një biznes, duke i ftuar të pranishmet që ta ndajnë këtë me kolege të tyre, apo dhe të bëhen vetë pjesë e kësaj iniciative. Zonja Evis Sulko, përfaqësuesja e Bankës Botërore në këtë forum, u shpreh se “asnjë vend komunitet apo ekonomi nuk mund të arrijë potencialin e vet pa pjesëmarrjen e plotë dhe të barabartë të burrave dhe grave, vajzave dhe djemve”. Zoti Eduard Shalsi, Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, duke vlerësuar rolin e gruas në sipërmarrje, por jo vetëm, u shpreh së në ministrinë e tij ka një derë të hapur gjithmonë për gruan, për të dëgjuar dhe dhënë zgjidhje problemeve që ekzistojnë. “Jam i nderuar që jam pjesë e një kabineti qeveritar që ka më shumë se gjysmën e ministrave gra. Nuk mund të ketë progres ekonomik, një përmbushje të parimeve demokratike pa përfshirje e grave. Ky është konkluzion që duhet mbajtur gjithnjë parasysh”, u shpreh Shalsi ndër të tjera në fjalën e tij.

Një pjesë e dytë e forumit, dedikuar tërësisht gruas

Në pjesën e dytë të këtij forumi, ishin zonjat që kishin fjalën e tyre, ku veç ndarjes së eksperiencave në biznes, ato adresuan dhe një sërë problematikash që ndeshin në punën e tyre.

Kryetarja e Shoqatës së Grave Afariste dhe Zejtare, zonja Flutura Xhabija duke renditur një sërë problematikash që has sot gruaja në biznes ndër të tjera u shpreh se “inovacioni, është një ndër politikat më nxitëse që qeveria duhet ta vërë në shërbim dhe mbështetje të grave sipërmarrëse.  Qeveria dhe donatorët kanë shpenzuar shumë fonde për inovacionin, por sa i takon përfitimit të grave sipërmarrëse, impakti është inekzistent”. Po kështu sipas saj ka mangësi dhe nuk ka njerëz të kualifikuar që të shkruajnë projekte për gratë sipërmarrëse ndaj “kjo e bën të domosdoshme bashkëpunimin me DHTIT, për të aplikuar në projekte në përfitim të grave”. Një ndër kërkesat e saj ishte dhe për Bashkinë Tiranë ku Flutura theksoi se “bashkia e Tiranës, duhet të sigurojë fonde të  dedikuara për gratë sipërmarrëse dhe t’i kanalizojë nëpërmjet DHTIT”.

Administratorja e Donniana-s, zonja Donika Mici si një nga folëset në këtë forum u ndalua në fjalën e saj në problematikat që ka kryesisht sektori që përfaqëson. “Në përgjithësi mungojnë politika nxitëse për prodhimin. Ne prodhuesit dhe eksportuesit e ndjejmë dhe po dëmtohemi nga kursi i këmbimit të euro-s, duke na shkaktuar humbje deri në 20%”. Për zonjën Mici është e nevojshme që pranë DHTIT të ngrihet një grup pune i veçantë dhe të hartojë një program konkret masash për t’ja propozuar qeverisë, ashtu edhe donatorëve si: B.Botërore, BERZH etj. “Politika e qeverisë, duhet të përqëndrohet në nxitjen dhe zhvillimin e shtresës së mesme, pasi ato do te krijojnë bazën  dhe rritjen e tregut, fuqisë blerëse dhe për rrjedhojë të rritjes së konsumit”, u shpreh ndër të tjera zonja Mici.

Drejtuesja e Iceberg Communication , Rafaela Rica u ndalua kryesisht tek nevoja për financim e bizneseve të reja, duke shtuar gjithashtu se kjo mbetet problem dhe për ato të konsoliduarat. “Në veçanti financimi i  biznesit është një pengesë tepër e madhe. Aksesi në financë sidomos për ato sipërmarrje të vogla bëhet pengesë, për shkak të mungesës së kolateralit”, u shpreh Rica. “Ende jemi larg ndërgjegjësimit publik për sipërmarrjen e grave. Ka mungesë të theksuar informacioni duke fillluar që nga fillimi i një biznesi, info për taksat dhe shumë info të tjera rreth kuadrit ligjor që gratë shpesh herë dëmtohen ose falimentojnë për shkak të mungesës së njohurive”, theksoi Rafaela, duke cilësuar se “inovacioni duhet të jetë një ndër instrumentat nxitës, sidomos për zhvillimin e teknologjisë dhe informacionit që për gratë sipërmarrëse mungon”.

Teuta Doçi, një nga zonjat që e ka nisur biznesin në vitet e para të liberalizimit të tregut u shpreh për rëndësinë e promovimit si dhe mbrojtjen e produktit vendas. “Pavarësisht se ne realizojmë produkte mjaft konkurues në treg, mungesa e çertifikimit të produkteve, masat për krijimin e markave tregtare na dëmtojnë dhe pengojnë shumë si në aspektin e konkurrencës ashtu dhe mundësisë së daljes për eksport”, u shpreh zonja Doçi.

Sabahete Osmani, duke qenë një nga drejtueset e reja në një kompani private, bëri një prezantim të asaj çfarë përfaqëson dhe dëshirën e saj për të ecur para në këtë treg.

Zonja Lindita Legisi, administratorja e Omega, një nga kompanitë që punon me material porositës dhe e ka nisur aktivitetin e saj që në vitet e para të ekonomisë së tregut, u shpreh se beson tek forca e gruas dhe është e bindur fort që për shoqërinë mund të japësh më të mirën nëse punon fort dhe je një shembull për ta. Këtë përpiqet të ushqejë dhe për fëmijët e saj, punën dhe edukatën për punën, si një rrugë e vështirë por e sigurtë. E ka nisur punën e vetme dhe sot ka një staf prej 180 punëtorësh. Beson fort që kualifikimi është një domosdoshmëri dhe është e bindur që burimet njerëzore janë bazë suksesi për një sipërmarrje.

Zonja Mirela Sula e cila erdhi nga Londra për t’ju bashkuar këtij forumi kërkoi nga gratë që të jenë një zë i fortë dhe besimplotë në atë çfarë përfaqësojnë. Mirela Sula ka punuar në media dhe edukim për 20 vitet e fundit dhe ka eksperiencë në të folur në publik në gjithë botën. Backgroundi i saj përfshin psikologji dhe këshillim, gazetari, mësimdhënie, trajnime, mbrojtjen e të drejtave të grave dhe trajnim të medias. Në seancën e pyetje diskutime, ku shumë zonja si Mirjana Kuke, Najada Taçi, Rafaela Rica etj., ngritën një sërë çështjes të rëndësishme më një emërues të përbashkët: Forumi është një nevojë që të kthehet në institucion që të zgjerohet dhe përfaqësohet denjësisht gruaja sipërmarrëse. U konkludua me nevojën që gratë të gjtha sëbashku duhet t’i bashkohen DHTIT, si përçuese e zërit të tyre. Dhe me qëllim që ky forum të marrë jetë, vetëm nëpërmjet DHTIT, mund të bëhet realitet hartimi i një platforme konkrete, ose pakete masash për gruan sipërmarrëse, dhe për të  ta percjellë tek qeveria për zbatimin e saj.

Share this post