Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë merr pjesë në workshopin rajonal me Shoqatat e E-Commerce në Rajonin e CEFTA-s të organizuar nga GIZ
Në datat 20-21 Prill 2022, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë së bashku me partnerin tjetër Shqiptar Shoqatën Shqiptare për Tregtinë Elektronike (AECA) mori pjesë në workshopin rajonal me Shoqatat e E-Commerce ne Rajonin e CEFTA-s të organizuar nga GIZ në Beograd, Serbi. Në këtë takim të rëndësishëm, GIZ shpalosi para grupeve të interesit në rajon të gjithë objektivat dhe projektet që ka vendosur të mbështesë në sektorin e e-commerce në rajon në vitet që vijojnë.
Në këtë workshop u bë një pasqyrim i detajuar i gjendjes dhe zhvillimit të shoqatave të e-commerce në rajon si dhe u diskutua mbi mundësitë për bashkëpunim rajonal mes tyre me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të rëndësisë dhe të ardhmes premtuese që ka ky sektor për zhvillimin e ekonomive të rajonit të CEFTA-s (vendet e Ballkanit Perëndimor + Moldavia). Më konkretisht angazhimi i GIZ në rajonin e Ballkanit sa i përket tregtisë online do të fokusohet kryesisht drejt:
1. Forcimit të Dialogut Publik-Privat (PPD) nëpërmjet shoqatave të e-commerce dhe institucioneve publike të secilit vend,
2. Krijimit të i një Marke Besimi (Trust Mark) në nivel shteti dhe në nivel rajonal, me qëllim formalizimin sa më shumë të sektorit e-commerce dhe rritjen e besimit tek konsumatorët,
3. Krijimit të raporteve periodike të të dhënave statistikore dhe analizimit të tyre në sektorin e tregtisë online në nivel shteti dhe në nivel rajonal,
4. Krijimit të një organizmi rajonal mbi bazë vullnetare (aleancë e shoqatave të e-commerce) me qëllim koordinimin e zhvillimit më të njëjtin ritëm të këtij sektori në nivel rajonal,
5. Krijimin e një sekretariati zbatues për të ndjekur dhe koordinuar axhendën e GIZ për sektorin e e-commerce në nivel rajonal.
Pjesëmarrësit në workshop treguan interesin e tyre për mbështetjen që ka dhënë dhe që planifikon të japë GIZ në sektorin tregtisë elektronike në rajon. Gjithashtu, me komentet e tyre konstruktive dhe ndarjen e eksperiencave, shoqatat e e-commerce kontribuan në mënyrë mjaft aktive në përmirësimin e projekteve të GIZ për këtë sektor.