Nikolin Jaka është kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë. Ai lindi më 17 maj 1972 në Mirditë.  Pas përfundimit të gjimnazit në Rrëshen, Jaka ndoqi studimet e larta në Fakultetin Juridik, Universiteti i Tiranës. Pas diplomimit si jurist në vitin 1994 ai ushtroi disa detyra në administratën shtetërore kryesisht ne Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve ku si detyrë kreu atë të zgjidhjes së problemeve ligjore në raportin shtet-sipërmarrje. Gjatë karrierës së tij profesionale, ai ka kryer një sërë kualifikimesh jashtë vendit që kanë të bëjnë kryesisht me legjislacionin për sipërmarrjen dhe përmirësimin e kushteve të tregut në të bërin biznes në një ekonomi gjithnjë e më globale.

Në vitin 1999 ai u tërhoq nga administrata publike, për të ngritur sipërmarrjen e tij private në fushën e ndërtimit dhe shërbimeve publike. Në vitin 2006 zoti Jaka kreu detyrën e tij si Sekretar i Përgjithshëm i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë. Funksion që u pasua me detyrën e tij si zv/ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit në vitin 2007.

Në 24 tetor të vitit 2009 ai u zgjodh nga Asambleja e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë si kryetar i këtij institucioni, në vazhdim të mandatit të lënë nga paraardhësi i tij. Mandat që më pas u pasua me rizgjedhjen e tij në këtë post, pas procesit normal që u zhvillua në zgjedhjet e radhës së Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë në vitin 2011. Jaka vijon të ushtrojë këtë detyrë, pas besimit që ju ridha në vitin 2015. Në qendër të punës së tij në krye të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë është lobimi dhe mbrojtja e interesave të sipërmarrjes në raport me pushtetin qendror dhe lokal. Veç lobimit puna konsiston në vendosjen e pikave të kontaktit dhe mbarëvajtjen e sipërmarrjes në raport më konkurrentët e tjerë në Europë dhe më gjerë. Dhoma është pjesë e organizmave të tillë ndërkombëtarë si BSEC, ASCAME, Forumi i Jonit dhe Adriatikut dhe kryetari është anëtar bordi me të drejtë vote.

Jaka është anëtar i Këshillit Ekonomik Kombëtar, i Këshillit Kombëtar të Investimeve, i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian dhe po kështu anëtar i Këshillit Ekonomik të Tiranës.  Nga viti 2014 e në vazhdim, ai është dhe Kryetar i Grupit Parlamentar Europian të Sipërmarrësve Shqiptare, funksion i cili ka të bëjë me dhënien e mundësive sipërmarrjes shqiptare në integrimin e saj  në ekonominë europiane nga njëra anë, por gjithashtu është një mundësi e mirë për të afruar kontributin dhe ekspertizën e saj qeverisë shqiptare, për t’i shërbyer një misioni të rëndësishëm partneritetit Publik- Privat.

 

Kontakto: [email protected]