Bardha Dibra: Grua në biznes? Sfidë por dhe përmbushje e jashtëzakonshme
Një zonjë që e ka nisur gjithçka nga zero dhe sot ka një biznes të konsoliduar. Përballur me sfidat e biznesit, por që e përkushtuar në punë dhe e vendosur se kështu arrihet çdo gjë, ja ka dalë. Sot menaxhon një kompani të standardizuar ku beson fort se stafi është shtylla e suksesit. Ka çfarë të ndajë për punën e saj dhe është një model që femrat e reja në biznes mund ta ndjekin. Suksesi më i madh në jete? Djali. Që sot bashkë me të ndajnë kohën në kompani.
Si e ka nisur biznesin Bardha? Ku ka arritur sot dhe nëse do të kthehej pas në kohë, a do të bënte sërish të njëjtën gjë? Një këshillë për ata që hyjnë sot në biznes dhe çfarë mund të ndjekin për të qenë të suksesshme.
Kur e keni filluar biznesin tuaj, çfarë produkti ose shërbimi ofroni për tregun ?
Biznesin tim e kam filluar që në vitin 1996 në fillim si General Manager i filialit të Shqipërisë të Grupit multinacional M.J.Maillis deri në vitin 2007, dhe që prej këtij viti e deri me sot si administratore e kompanisëDimapak, 100% në pronësinë time. Pra kam më shumë se 22 vjet që ushtroj të njëjtin aktivitet privat në sektorin e tregtisë dhe distribucionit.Konkretisht ky aktivitet lidhet me importimin dhe shpërndarjen e makinerive dhe materialeve të ambalazhimit në fund të linjave të prodhimit për sektorin e industrisë. Është një aktivitet që shtrihet në të gjithë sektorët e industrisë si atë ushqimore, pijeve, të ndërtimit, të metaleve, të drurit, kartonit etj.
Si është të jesh sot një grua në biznes?
Për mua të jesh sot grua në biznes është një sfidë e madhe dhe njëkënaqësi e përmbushjee jashtëzakonshme. Të futesh në biznes e vetme, në moshë të re dhe të fillosh nga zero për të ngritur një strukturë aktive dhe profesionale dhe një aktivitet të rëndësishëm dhe serioz i cili pranohet dhe respektohet në treg, kërkon vetëbesim në vlerat dhe kapacitetet e tua, kurajo dhe forcë, dëshirë të thellë, investim të vazhdueshëm profesional dhe ajo qëështë më e rëndësishme të mos ndalesh përpara vështirësive për të ecur përpara. Aktiviteti im profesional në biznes ka qenë dhe mbetet një përkushtim i madh, një investim i madh energjish dhe kohe si dhe heqje dore nga disa kënaqësi të tjera. Nuk është e lehtë në asnjë lloj shoqërie dhe aq më tepër në shoqërinë shqiptare të përballesh në përgjithësi me frymën më të lartë të besimit në punën e burrave, të përballesh me marrëdhëniet e tarafeve dhe miqësive për të bërë biznes si dhe me të tjera fenomene negative që kanë shoqëruar periudhën e tranzicionitnë Shqipëri.
Të bësh si grua biznes të suksesshëm e të ndershëm, profesional e serioz në raport me punonjësit, klientët dhe shtetin është vërtetë një përballje me një mal me sfida. Por unë e kam dashur këtë punë si një fëmijë që e rrit përditë që nga lindja, kam dhënë më të mirën time dhe ia kam daleë Kjo ka qenë një nga arritjet kryesore në jetë dhe ndjehem e lumtur për këtë.
Me sa punonjës e keni nisur punën në kompani dhe sa keni sot?
E kam filluar punën vetëm me 3 punonjës dhe sot janë 15. Por numri i punonjësve nuk është treguesi kryesor i madhësisë apo rëndësisë së biznesit tim për vetë natyrën e aktivitetit në fushën e tregtisë. Kompania është e listuar në grupin e tatimpaguesve të mëdhenj për vlerën e kontributit tëtaksave dhe detyrimeve që paguan për buxhetin e shtetit. Synimi im ka qenë investimi në rritjen profesionale të stafit dhe bërjen sa më eficiente të punës së tyre duke u ndjere sikur të punonin për veten e tyre, në një familje të madhe. Në përgjithësi në punën tonë thuhet “Klienti i pari”. Unë kam patur një tjetër qasje: “Punonjësi i pari”. Me këtë dua të them se nëse investon për stafin është ai që do të investojë maksimalisht për klientin.
Nëse do të ishit kthyer disa vite më parë do të bënit sërish të njëjtën gjë?
Absolutisht po. Mund të them që kam dhënë më të mirën time nëçdo fazë të punës time. Çdo gjë duhet parë jo nga këndvështrimi i sotëm por nga koha dhe kushtet kur ato janë zhvilluar. Jetojmë në një kohë kur teknologjia dhe informacioni ndryshon çdo ditë dhe kjo bën që jeta dhe aktiviteti të jenë në një proces të vazhdueshëm zhvillimi dhe transformimi dinamik. Që të ndjekësh ritmin e kohës kërkon investim të vazhdueshëm në profesion dhe përkushtim.
Si është të jesh nënë, si e menaxhon kohën e saj dhe a mendoni që keni qenë mjaftueshëm prezente për fëmijët e tu kur ata kanë patur nevojë? Sa ke ndikuar në formimin e tyre?
Ah po, kjo është një tjetër histori me plot përballje e sfida që jam munduar me çdo kusht t’i kapërcej me sukses dhe ia kam dalë. Po, unë jam një nënë me fat, kam një djalë të mrekullueshëm që sot në fakt është burrë 31 vjeçar dhe ka jetën e tij të pavarur nga unë. Ai është pasuria më e madhe që kam në jetë. Djali lindi kur unë sapo kisha mbushur 25 vjet, mbas pak kohe që kisha mbaruar studimet e larta universitare në degën e ekonomisë dhe një muaj mbas divorcit me ish-bashkëshortin tim, babanë e djalit. Ishte një përballje e jashtëzakonshme të merrje përsipër rritjen dhe edukimin e fëmijës duke bërë dy role, atë të nënës dhe tëbabait i cili nuk ka qenë kurrë prezent në jetën e tij. Nuk do të mund t’i përballoja këto vështirësi pa mbështetjen dhe angazhimin e prindërve të mi të cilëve iu jam mirënjohëse për gjithë sa kanë bërë për mua.Ardhja në jetë e djalit ishte një lumturi dhe krenari e pamatë të cilat i dhanë një kuptim të ri jetës time. Ndjehesha e plotësuar dhe plot energji dhe s’kishte sfidë që më trembte për të ecur përpara. Kam qenë aty për të, për t’i plotësuar çdo gjë që një fëmijë ka nevojë që të rritet i mbarë dhe sidomos për t’i dhënë atij shumë dashuri. Më ka mbetur merak që fazën e parë të jetës së tij nuk e kam shijuar aq sa duhet, për shkak të mungesës së kohës për të qenë prezent e për të luajtur dhe për t’u zbavitur me të. Por kam qenë aty për të ndjekur mbarëvajtjen në shkollë, marrjen me sport e për të kapërcyer së bashku çdo vështirësi të rritjes. Jam e sigurt që roli im dhe vlerat e familjes kanë qenë shembulli për edukimin dhe formimin e tij. Mbasi mbaroi studimet pasuniversitare për ekonomi në një nga universitetet më të mira të Milanos, ai filloi të punojë në biznesin tim dhe prej 7 vitesh është bërë një shtyllë solide për tëçuar biznesin përpara me sukses.
Cili ka qenë një moment suksesi që ka vendosur të ardhmen tuaj në sipërmarrje dhe a keni patur raste kur keni thënë mjaft nuk mund të vazhdoj më?
Në fakt janë dy momente kryesore që kanë vendosur të ardhmen time në sipërmarrje.Mbas ndryshimit të sistemeve në vend, në fillim të viteve ‘90-të, vendosa të mos punoj më në sektorin publik ku punoja si ekonomistë që mbas përfundimit të studimeve në universitet, por të shikoja për të investuar tek vetja dhe për t’u përgatitur për aktivitet në sektorin privat. Me këtë synim shkova në Greqi për rreth një vit ku mu desh të mësoja gjuhën dhe të merrja njohuritë e para pranë një sipërmarrje private në fushën e tekstilit. Menjëherë pas kthimit nga Greqia pata shansin të më ftonin për një stazh 1 vjeçar në një kompani private po në fushën e tekstilit në Lion, Francë. Eksperienca në Francë ishte e jashtëzakonshme pasi më dha mundësi të flisja gjuhën që e kisha mësuar në shkollë e të njihesha me të gjithësektorët e kompanisë si atë komercial, të financës, të logjistikës dhe të marrëdhënieve me furnitorët dhe klientët.Mbas kësaj periudhe kompania vendosi të hapë një zyrë përfaqësimi në Tiranë duke më caktuar mua si drejtuese të kësaj zyre e cila do të ndiqte marrëdhëniet me furnitorët në Shqipëri dhe Ballkan. Më duhej të udhëtoja shpesh në këto vende duke koordinuar punën midis kompanisë në Francë dhe kompanive në Ballkan me të cilat bashkëpunonim. Kjo ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme 6 vjeçare që më rriti profesionalisht dhe mund të them një universitet më vete në praktikë në fushën e aktivitetit privat.
Ishte pikërisht në vitin 1997 kur nga grupi multinacional M.J.Maillis më kërkojnë që të bashkëpunoja me ta por në një fushë krejt të ndryshme dhe të panjohur për mua, atë të ambalazhit. Ky sektor ishte komplet i pazhvilluar në Shqipëri në atë kohë dhe unë e pashë me syrin e perspektives, ai do të kishte të ardhme. Vendimi për të punuar për këtë Grup ka qenë një pikë kyçe dhe një sfidë e re e cila hapi dyert për të ardhmen time në sipërmarrje.Punova si drejtoreshë e filialit të Shqipërisë për 13 vite ku çdo ditë kishte për të kontribuar dhe për të mësuar nga standardet ndërkombëtare të punës në një Grup të madh multinacional. E doja atë punëtë nisur nga zero dhe nuk kishte orardhe lodhje për mua. Që prej këtij viti Kompania ime u quajt Dimapak dhe unë vazhdoj ta drejtoj me sukses edhe sot. Nuk kam patur asnjë moment lodhjeje për të thënë mjaft nuk vazhdoj më, përkundrazi kam marrë maksimumin e kënaqësisë nga ushtrimi i profesionit dhe pasionit për punën që bëj. Madje mund të them se nuk mund ta imagjinoj dot që një ditë mund të më duhet të dal në pension për shkak të moshës.
Ndryshe nga fillesat tuaja të biznesit, çfarë politikash nxitëse mendoni se duhet të ndërmarrë qeveria për mbështetjen e gruas sipërmarrëse, a do të mund të bëhej më mirë?
Kjo është një pyetje që të bën të reflektosh. Në fakt unë personalisht gjatë kësaj pune në mbi 20 vjet nuk kam ndjerë që qeveritë e ndryshme kanë bërë ose patur politika në mbështetje të gruas. Gratë i janë nënshtruar të gjitha ligjeve dhe politikave ekonomike qeveritare njësoj si burrat. Ka një tendencë të viteve të fundit për më shumë angazhim të grave në politikë, por në sektorin ekonomik nuk di të ketë ndonjë politikë nxitëse. Mbase edhe mund të ketë por unë kam qëndruar gjithnjë e distancuar nga politika dhe besoj kam qenë e panjohur si grua që bëj biznes megjithëse nga pagesat e taksave mendoj se kompania ime është njëkontributor i rëndësishëm në buxhetin e shtetit.
Dimapak
E themeluar në vitin 1998 me emrin M.J.Maillis Albania, si filial i grupit ndërkombëtar M.J.Maillis Group, ishte e para kompani e specializuar në sektorin e ambalazhimit që filloi ushtrimin e këtij aktiviteti në Shqipëri. Përgjatë viteve të para të veprimtarisë, nën drejtimin e Znj. Bardha Dibra kompania u rrit shumë shpejt duke u përpjekur të orientojë tregun e ri shqiptar drejt produkteve të standardeve europiane të cilësisë më të lartë. Me përvojen e krijuar përgjatë 20 viteve aktiviteti të suksesshëm si dhe me filozofinë e orientuar drejt klientit, Dimapak vazhdon të udhëheqë sektorin e ambalazhimit në Shqipëri. Kjo është arritur duke ofruar një gamë të gjerë produktesh të cilësisë më të lartë, ruajtjes së raportit të drejtë cilësi/çmim, shërbimit, fleksibilitetit si dhe përqasjes inovative.